Mbrojtja e investitorëve shënon regres

E publikuar: 01/11/2015 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Regresi që Kosova ka shënuar në indikatorin që ka të bëjë me mbrojtjen e investitorëve, nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve, po shihet si një problem në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bërit biznes”, te mbrojtja e investitorëve, Kosova është renditur në pozitën e 57, nga pozita e 54 sa ishte vitin e kaluar.

Kosova, sipas përfaqësuesve të Odave ekonomike në Kosovë që mbrojnë interesat e bizneseve, ka nevojë për investime të huaja, dhe rangimi i këtij indikatori (mbrojtja e investitorëve) në tri pozita më poshtë, bën që investitorët të mos e shohin Kosovën si një vend atraktiv për investime.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, shprehet:

“Është për keqardhje që në një kohë kur po bëjmë përpjeke të mëdha për të tërhequr investime të huaja, ne po pësojmë regres në pozitën tonë në raportin e Bankës Botërore, kur në të njëjtën kohë vendet tjera të rajonit, me të cilat jemi në garë për tërheqjen e investimeve të huaja, po marr shembull Serbinë, kanë shënuar përmirësim për 32 vende, që është natyrisht një indikator i rëndësishëm i reformave që ata i kanë ndërmarrë në shtetin e tyre”.

Që Kosova të jetë më atraktive sesa vendet tjera të rajonit për investitorët e huaj, vlerëson Zeka, duhet të bëhen reforma rrënjësore të politikave ekonomike.

Në analizat e bëra nga organizata të ndryshme në vend, thuhet se krahasuar me vendet tjera të rajonit, Kosova ofron shumë pak dhe nuk është konkurruese me këto vende, sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja.

Investimet e huaja në Kosovë kishin shënuar rënie gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2007 vlera e investimeve të huaja në Kosovë ishte rreth 450 milionë euro, kurse në vitin 2014 kjo shifër është jo më shumë se rreth 150 milionë euro.

Investimet e huaja, sipas këtyre të dhënave, kanë filluar të rriten në vitin 2015. Deri në maj, investimet e huaja direkte arritën në 157.7 milionë euro.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se nga përkeqësimi i ambient afarist në Kosovë, ka pasoja të mëdha.

Sipas tij, pasoja e përgjithshme është mungesa e zhvillimit ekonomik që do të thotë vazhdimi i varfërisë dhe papunësisë, si dhe ikja e njerëzve nga Kosova.

“Ky ambient është një mesazh shumë i keq që mund t’iu dërgohet të gjithë investitorëve kudo, se realisht Kosova nuk është një vend për të investuar, dhe se institucionet nuk janë të besueshme dhe qeveria nuk mund të krijojë partneritet në fushën e investimeve”, vlerëson Rexhepi, transmeton rel.

Në raportet e ndryshme të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë është theksuar se niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, evazioni fiskal, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar që shumë investitorë të mos e shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë.