Mblidhet PDK-ja, pas largimit të AKR-së nga LAA

E publikuar: 04/09/2017 17:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryesia e Partisë Demokratike e Kosovës është mbledhur për një mbledhje që fillimisht ishte paralajmëruar për në orën 11:00 por që më pas është shtyrë për në orën 16:00.

Në selinë e PDK-së në Prishtinë tashmë kanë ardhur disa anëtarë të Kryesisë së kësaj partie derisa po i bashkëngjiten edhe të tjerë.

Klan Kosova ka marrë vesh se kjo mbledhje e Kryesisë së PDK-së vjen pas takimit që sot kanë pasur gjatë ditës kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa e ku pas takimit u tha se rruga e AKR-së është ndarë nga koalicioni LAA.

Klan Kosova poashtu mëson se në këtë mbledhje do të diskutohet pikërisht për këtë zhvillim të fundit në skenën politike dhe për seancën e radhës konstituive por edhe për parapërgatitjet për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Në ndërkohë që asnjë nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së nuk ka pranuar të deklarohet para kamerës para këtij takimi duke mos dhënë kështu asnjë detaj lidhur me këtë mbledhje.

Gazetarët që po e përcjellin këtë ngjarje janë duke qëndruar jashtë rrethojave të selisë së PDK-së andaj nuk dihet nëse ka nisur tashmë ky takim apo jo.