Sot në ora 18:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për dërgimin e FSK-së në misione me Gardën Kombëtare të Ajovës.
“Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, sot prej orës 18:00 do të mbahet një Seancë e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me një pikë të vetme të rendit të ditës. Marrja e vendimit për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e kryeminsitrit.
“Në bazë të ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Republikës së Kosovës me 31 dhjetor 2021, ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ky vendim i është dërguar Kuvendit të Republikës së Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane. Vendimi mbështetet në memorandumin që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka nënshkruar me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit bashkë me Gardën Kombëtare të Ajovës”, thuhet tutje në komunikatën për media.
Ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se mbështesin angazhimin e FSK në misione paqeruajtëse.
Ndërsa ditë më parë, Gjenerallejtënant, Rrahman Rama në intervistën dhënë për KosovaPress ka treguar se Forca e Sigurisë së Kosovës në pranverë të këtij viti pritet t’i bashkohet ushtarëve amerikanë në misione paqeruajtëse.