Ashtu siç u kishim lajmëruar më parë mbërriti një nga momentet më vendimtare të rrugëtimit të Albanian ICT Awards në vitin e tij të tretë. Data 17 Prill vendosi të gjithë pjesëtarët e jurisë në një diskutim kokë më kokë çka do të përcaktonte edhe vijueshmërinë e konkursit mbarëkombëtar.
Ekipi organizativ i Albanian ICT Awards tashmë vjen me një eksperiencë tre vjeçare në drejtimin e këtij konkursit i cili çdo vit sa vjen e bëhet më popullor për të gjithë shqiptarët e apasionuar pas teknologjisë.
Takimi i punës me të gjithë anëtarët e jurisë rezultoi me një axhendë mjaft të ngjeshur, një takimi i cili tashmë është një traditë kur përcaktohen edhe rolet e individëve specifikë të jurisë si Kryetari dhe Zv Kryetari. Me votim unanim u vendos që në krye të jurisë së Albanian ICT Awards për këtë vit të jetë Prof. Dr Kozeta Sevrani. Ndërsa në pozitën e zv. Kryetarit të Jurisë do të jetë z. Visar Jasiqi i cili në këtë takim u përfaqësua nga Enis Vehapi. Takimi u mbajt ditën e Premtë ora 14:30, në “Xheko Imperial”, Carlsberg, salla e konferencave.
Prof. Dr. Kozeta Sevrani është profesore e Informatikës dhe Sistemeve të Informacionit në Menaxhim si dhe Drejtuese e Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Aplikuar pranë Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Visar Jasiqi për më shumë se 11 vite merret me zhvillimin e resurseve humane në sektorin e teknologjisë informative dhe komunikuese në Kosovë. Ka menaxhuar programet edukative te IT-së në Ipko Institute deri në Dhjetor 2005 dhe tani për 8 vite shërben si udhëheqës i Institutit për Trajnim dhe Zhvillim pranë A.U.K.-së.
Gjatë këtij takimi, të gjithë anëtarët e jurisë nënshkruan “Deklaratën e Konfidencialitetit” një proçes i cili kryhet në startin e takimit të parë dhe është e një rëndësie të veçantë kur kemi të bëjmë me një fazë mjaft të rëndësishme siç është vlerësimi i projekteve.
Dhe ja ku vjen edhe më e rëndësishmja mbase, Lista e Projekteve të paraqitura pranë Albanian ICT Awards gjatë fazës së aplikimeve. Siç mund ta dini, Albanian ICT Awards III hapi aplikimet në datën 16 Shkurt, një periudhë gjatë së cilës të gjithë të interesuarit patën mundësi të aplikonin përmes uebfaqes ictawards.org. për tu konkluduar me datën 10 Prill. Pranë organizatorëve të këtij konkursit janë paraqitur 49 projekte ku secili prej tyre synon të rrëmbejë njërin prej shtatë çmimeve: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Akademiku i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe ICT Femra Inovatore e Vitit.
Juria u njoh me këtë listë projektesh ku në ditët në vazhdim ky organ vendimmarrës do të përzgjedh disa nga projektet më të spikatura për ti kaluar në fazat e tjera të vlerësimit. Më saktësisht, Juria do të përzgjedhë tre projekte për secilën prej kategorive për ti kaluar në fazën finale. Secili prej këtyre finalistëve do të ketë një takim 10 minutësh me jurinë ku edhe do të demostrojë projektin e tij përpara të gjithë anëtarëve.
Dhe si rezultat juria vendosi që data e këtij takimi të ngushtë mes 21 finalistëve do të mbahet në datën 5 Maj 2015 ora 14:30. Dhe gjer atëherë, ICTSmedia si organizatore e këtij konkursi i uron të gjithë aplikantëve një pjesëmarrje sa më të denjë. /PCWorld Albanian/