Milaim Shefkiu
Të hënën, për herë të dytë në qindvjetëshin e fundit, bashkohen dy qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. Ky takim në simbolikë ngërthen bashkimin politik kombëtar, ndërsa në substancë nuk i ngjason kësaj, por duket si një mashtrim optik në sytë e opinionit.
Ky takim që mbahet sot në Tiranë, pason mbledhjen e quajtur historike, të dy qeverive në Prizren, e cila natyrisht pati jehonë të madhe jo vetëm te shqiptarët, por edhe te popujt tjerë të rajonit. Disa, mbledhjen e Prizrenit e konsideruan si “Lidhje e tretë shqiptare” që bëri hapin më të madhe drejt bashkimit Kosovë – Shqipëri, e disa të tjerë e konsideruan marketing politik folklorik. Mirëpo në rajon, takimi pati efektin e dëshiruar, sepse serbët dhe maqedonasit e konsideruan si “hapin gjigant” drejt formimit të “Shqipërisë Etnike”.
Por çka ndodhi në Prizren?
Përveç një takimi që ishte më shumë simbolik, nuk barti me veti mesazhin e bashkimit. Që nga ai takim deri sot, barrierat, ndërskamcat, mosmarrëveshjet ndërmjet Prishtinës e Tiranës mbetën të njëjta. Mielli, patatet, çimentoja, nuk u tregtuan lirshëm ashtu siç ishin muhabetet në “Islihatin” e madh të Prizrenit. Mallrat u tregtuan, por jo sipas premtimeve se “jemi si ata vëllezërit Siamezë, kur sëmuret njëri e ndjen edhe tjetri”. Pra Kuvendi i Prizrenit solli më shumë folklorizëm, e më pak vepra konkrete.
E vetmja që mbahet në kujtesë nga ai takim, ishte ajo ndarja “legjendare” e 50 mijë eurove për Luginën e Preshevës, një shumë e cila më shumë ofendoi shqiptarët atje sesa i kënaqi. Dy qeveritë, me alamet ministra, zëvendësministra e këshilltarë, 50 mijë euro i shpenzojnë vetëm për dreka e darka për një javë. Këto mjetet për Preshevën, atëbotë i kam cilësuar si “vitra” që jepen për të vobektit në fund të muajit Ramazan. “Vitra” u quajtën sepse vetëm Qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha ndau një donacion në vlerë 500 mijë euro për komunën e Graçanicës. 50 mijë euro donacion i dy qeverive, për tri komuna shqiptare të mbetura në Serbi, ishin ofendim që iu bë atij komuniteti.
Takimi i Prizrenit mbetet si takimi i parë… E çka duhet të dalë sot nga takimin i dytë?
Ajo që kërkohet nga kryeministri Isa Mustafa dhe kryeministri Edi Rama, t’i lënë anash frazat folklorike se “ne jemi vëllezër”. Që jemi vëllezër, këtë e dimë të gjithë, por ajo që kërkohet është veprimi konkret. Vëllezërit duhet të duhen si të tillë, jo vetëm për çështje interesi, ose dhe për çështje rejtingu politik. Sot duhet të merren vesh dy qeveritë, se si të veprohet praktikisht në terren, si të lidhen fijet e këputura ndërmjet dy shteteve dhe si duhet të hiqen barrierat ekonomike, kulturore, arsimore, diplomatike ndërmjet Tiranës e Prishtinës. E po ashtu të koordinohen dy qeveritë për mbrojtjen e interesit kombëtar në Luginën e Preshevës, Mal të Zi, në Maqedoni dhe në diasporë.
Vetëm nënshkrimi në letër edhe i disa marrëveshjeve të tjera, nuk i përmbush pritjet e qytetarëve të të dyjave vendeve, dhe nëse vazhdon kështu, është e kotë nëse nënshkruhen 10 ose dhe 20 marrëveshje të reja në mbledhjen e sotme. Mbledhjet e dy qeverive kanë efekt vetëm atëherë kur patatet e Kosovës shitën pa ndërskamca ekonomike në Shqipëri, ose domatet dhe hudhrat e Shqipërisë shiten në Kosovë. Madje ajo që është e domosdoshme, duhet të hiqet interesi i dyanshëm për produktet bujqësore.
Fundi i fundit, hudhra shqiptare është më mirë se ajo që vjen nga Kina e që shkon “flakë” në tregun kosovar. Ky është një krahasim minor, krahasuar me bllokimin doganor që ndodh për ditë ndërmjet dy shteteve.
Nga ky takim gjithashtu nuk duhet të dalë premtimi, sikurse ai i Berishës, se do t’u japë nënshtetësi të gjithë shtetasve jashtë Shqipërisë, e në realitet asnjë qytetar i rëndomtë s’ka marrë nënshtetësi shqiptare, përveç atyre që ua ka dhënë me dekret presidenti.
Por, a duhet të shihet gota gjithmonë gjysmë e zbrazët? Natyrisht se jo!!!
Të thuhet se ndërmjet dy vende nuk është bërë asgjë, kjo gjithashtu konsiderohet subjektivizëm, sepse integrimi i shqiptarëve po ndodh për çdo ditë, por jo në përmasat që i proklamon lidershipi i dyanshëm. Qytetarët kërkojnë më shumë, sepse pritjet janë të mëdha, por edhe mundësitë janë më të mëdha. E ajo që kërkohet përfundimisht nga dy qeveritë, është heqja e të gjitha barrierave ndërmjet dy vendeve. E nëse jemi vëllezër, atëherë ndërmjet vëllezërve “s’ka havale”./zeri/