Mbledhja e tensionuar e PS’së: Rama e gjuajti me gotë Blushin?

E publikuar: 07/03/2016 18:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zbardhen detaje të reja nga mbledhja e grupit parlamentar të PS.

Tre burime të pavarura nga njëri tjetri i thanë Opinion.al se momenti më kulmor i mbledhjes së grupit ka qenë kur Kryetari i Partisë dhe Kryeministri Rama, ka flakur gotën e tij të ujit në mes të tavolinës në një moment nervozizmi në debatin me Ben Blushin!

Kjo ka ndodhur pak kohë pas fillimit të mbledhjes dhe pasi Arta Dade ka detyruar Kreun e grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi që të diskutojë ngjarjen e Elbasanit. Në fillim ideja e Ruçit ka qenë që ngjarja të debatohej në asamblenë e Elbasanit, por kërkesa e bërë nga Hafizi dhe Dade, me insistimin e kësaj të fundit është futur në diskutim.

Opinion.al ka mësuar se këtë moment ka ndërhyrë Ben Blushi që ka vijuar sqarimin e ngjarjes në Elbasan dhe ka ripërsëritur akuzat për kriminalizim të PS dhe për lidhjet e saj me botën okulte.

Burimet e Opinion.al, deklarojnë se këtë moment ka qenë Rama që ka shpërthyer dhe pasi ka flakur gotën e tij të ujit në drejtim të mesit të tavolinës, me një lëvizje krahu, e ka akuzuar Blushin për shpifës dhe ka kërkuar emrat e kriminelëve.

Blushi i është përgjigjur se kriminelë janë shokët e tij dhe këtu debati është nxehur edhe më shumë.

Burimet e Opinion.al sqarojnë se në këtë moment debati ka degraduar dhe Blushi i ka thënë Ramës se ligji i dekriminalizimit u bë se ka kriminelë dhe e ka akuzuar për një drejtim demode të PD. Një prej burimeve thotë se debati u përshkallëzua me fyerje dhe madje Blushi i kërkoi Ramës të bëjë një pushim për të vijuar.

Nuk dihet nëse Rama e ka shtyrë gotën e ujit në drejtim të Blushit apo në një moment nervozimi, por duket qartë që mes të dyve nuk ka më asnjë lloj pajtimi. Të mërkurën PS ka mbledhjen e Asamblesë dhe fundjavën e ardhshme Kongresin që do marrë vendime të rëndësishme si ai për votimin për Kryetar. Nuk dihet nëse do të ketë masë ndaj Blushit. /opinion.al/