Mbledhja e KQZ-së, merren këto vendime

E publikuar: 07/12/2025 20:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

KQZ ka votuar në mbledhjen e sotme për miratimin e rekomandimit për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në dy komuna në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme.

KQZ-ja miratoi kërkesën e Arianit Elshanit, anëtar nga radhët e PDK-së për heqjen nga rendi i ditës të shqyrtimit dhe miratimit të formulës se Këshillave të Vendvotimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit, si dhe të ndryshohet pika e tretë e rendit të ditës – shqyrtimi dhe miratimi i dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit, pasi u tha se janë duke pritur një opinion nga këshilltarët ligjorë.

Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, tha se zëvendësimi dhe emërimi i anëtarëve bëhet në Prizren dhe Mitrovicë e Veriut, teksa ajo për Malishevë rikthehet për rishikim në Sekretariat.

“Këshilli i operacioneve zgjedhore ka shqyrtuar kërkesën për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve dhe gjatë shqyrtimit të këtij rekomandimi të ardhur nga Sekretariati për tri zëvendësime që kanë ardhur edhe nga subjektet politike, jemi pajtuar që për dy komuna të bëhet ky zëvendësim, Prizrenin dhe Mitrovicën e Veriut ndërsa për një komunë të rikthehet në rishikim në Sekretariat me subjektin politik. Pra, bëhet fjalë vetëm për komunën e Prizrenit dhe të Mitrovicës së Veriut”, ka thënë Elshani.

Gordana Laban, anëtare e KQZ-së nga komuniteti serb, u ankua për mungesë të materialit në lidhje me zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, duke kërkuar sqarime shtesë lidhur me këtë.

Për këtë, Elshani tha se bëhet fjalë për ndryshimin e anëtarit të LDK-së në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren nga i njëjti subjekt, ndërsa në Mitrovicën e Veriut anëtari i AAK-NISMA.

Për sa i përket dizajnit të fletëvotimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Elshani tha se ai nuk do të ndryshojë shumë nga ai i zgjedhjeve të fundit parlamentare të 9 shkurtit.

KQZ në mbledhjen e sotme miratoi dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit jashtë Kosovës dhe shqyrtoi dokumenti i kërkesave dhe specifikimeve për kontraktimin e shërbimeve postare për votim jashtë Kosovës.

Po ashtu u tha se nesër pritet të mbahet një mbledhje tjetër e KQZ-së për të certifikuar kandidatët e partive politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kujtojmë, sot është hedhur shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor.