Mbi racizmin e pavetëdijshëm të Veton Surroit

E publikuar: 13/09/2017 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

[ad_1]

Në shkrimin tim, të disa ditëve më parë, për të ashtuquajturën “praktikë të kapjes së shtetit”, problematizova, mes tjerash, edhe qasjen shpjeguese të publicistit Veton Surroi. Në atë shkrim ideja ime themelore ishte se Surroi, duke abstrakuar, qëllimisht ose jo, gjithë kontekstin historik dhe kulturor, brenda të cilit është rrënjosur kjo praktikë, rrëshqet në një shpjegim me ngjyrime raciste të kësaj praktike.

 Gjithmonë, duke supozuar se Surroi nuk është i vetëdijshëm se në çfarë linjash teorike është duke lëvizur, mora si shembull mendimin e Umberto Ecos që thotë se fashisti më i dëmshëm është ai i cili nuk e di se është fashist. Dhe në reagimin e Surroit ndaj tekstit tim u binda përfundimisht se ai me të vërtetë nuk e di se është racist, e meqë nuk e di, ai vazhdon edhe më tutje të parashtrojë teza raciste.

Ja një shembull i fundit i shkruar nga vetë Surroi: “ Ndonëse kam qenë bukur i saktë në adresimin e përgjegjësisë së klanit “Pronto” në kapjen e shtetit – sa për ilustrim, prej kontrollit të pompave të benzinës së Kosovapetrollit e deri te mbajtja e Shërbimit Sekret (SHIK) – madje edhe përgjithësimi për tërë PDK-në si kromogjene, vështirë se do të më cilësonte si racist, apo mua si përfaqësues të një “teorie në thelbin e saj raciste”. Arsyeja është e thjeshtë: PDK-ja nuk është racë. Antropologjikisht, anëtari i PDK-së është i racës së njëjtë si ai i LDK-së e VV-së, madje i partisë së Vuçiqit e të Merkelit dhe të kryetarit të Gjeorgjisë e Ukrainës”. 

Këtu Surroi na thotë se pjesëtarët e PDK-së, ata të partisë së Merkelit ata të kryetarit të Gjeorgjisë, i takojnë një race të përbashkët. Shumë mirë! Surroi nuk shkon, më tutje, përtej kufinjve të Ukrainës apo Gjeorgjisë, për të përfshirë në racën tonë të përbashkët, ta zëmë, edhe rusët e bjellorusët. As Hitleri nuk i kishte përfshirë, por natyrisht kjo mospërfshirje nuk duhet njejtësuar me motivin e mospërfshirjes që e gjejmë të Surroi,  cili, ndoshta për arsye patriotike, ka përjashtuar rusët, marrë parasysh faktin se janë duke na bërë shumë probleme në përpjekjet tona për të kompletuar subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Por kjo është e keqja më e vogël raciste, për të cilën Surroi, përseri, nuk është i vetëdijshëm.

E keqja tjetër, shumë më e madhe, qëndron në faktin se Surroi operon me një skemë të pastër raciste, e cila i ndanë popujt e botës në disa raca, të cilat mendohet të kenë dallime esenciale me njëra-tjetrën, nga fenotipi në inteligjencë. Skemën e Surroit e gjejmë, shumë lehtë, në pothuajse të gjitha teoritë raciste të shekullit të XIX dhe ato të gjysmës së parë të shekullit XX. Këto teori, sikurse dihet, shërbyen për të përligjur terrorin e regjimeve fashiste. Kjo më bind plotësisht për drejtësinë e përdorimit të mendimit të Eos në kritikën time të qasjes shpjeguese të Surroit.

E para, elementi fillestar, që një racist e bën të tillë, është pranimi i ekzistencës objektive të racave, i ndarjes së njerëzimit në raca dhe Surroi këtë pranim e pohon hapur në tekstin e tij. Claude Levi Strauss, antropologu i madh francez, që e çliroi antropologjinë nga paradigma e ndarjeve raciale, thotë se barbar, parasegjithash, është ai që beson në ekzistencën e barbarisë, si tipar i natyrës njerëzore. Meqë ndarja e njerëzimit në popuj të civilizuar dhe barbarë është e të njejtës familje konceptuale me ndarjen raciste të tyre, atëherë mund të themi se racist, parasegjithash, është ai që beson në ekzistencën e racave.

E dyta, një intelektual që, në shekullin 21, operon me një ndarje të tillë, nuk bën gjë tjetër veçse nxjerr në publik injorancën e tij të thellë mbi zhvillimet shkencore e filozofike në fushën e konceptit të racave e racizmit.

Sot, përgjithësisht, filozofët dhe shkencëtarët, sidomos ata të biologjisë humane, kanë arritur në përfundimin se racat nuk janë një realitet biologjik, por vetëm një konstrukt social e ideologjik, prapa të cilit fshihen relacionet konfliktuale mes grupeve njerëzore. Në këtë situatë bashkëkohore epistemologjike, shkencëtarët më nuk operojnë me termin e “dallimeve raciale”, por me atë të “diversitetit gjenetik” dhe “variacioneve gjenetike”, duke përjashtuar çdo ide të hierarkisë apo pabarazisë mendore a gjenetike mes këtyre variacioneve.

E treta, racizmin e tij diskursiv Surroi e manifeston në vazhdimësi në tekstet e tij. Një qytetari nga Drenica, i cili kishte bërë një koment në një status të Surroit në facebook, ky do t’i kundërpërgjegjej duke i thënë se “ju e keni të lindur mungesën e kapacitetit për të bërë dallimin në formës “ti” dhe “ju” të adresimit”. Çfarë është kjo përveçse një racizëm i pastër: përcaktohet një komunitet, të cilit i përshkruhet një defekt i lindur, pra kolektivisht i trashëguar. Edhe në këtë rast Umberto Eco, si kulturolog, do të mendonte ndryshe prej Surroit: problemet kolektive gjuhësore nuk shprehin dallime gjenetikisht të lindura, por raporte të shtypjes dhe dominimit. Në rastin konkret: problemet e artikulimit gjuhësor të kosovarëve janë pasojë e faktit se për gjysëm shekulli gjuha e tyre është shtypur brutalisht nga dy gjuhë totalitare, Në njërën anë, nga standardi i shqipes i vitit 1972 ,në të cilin, me vendim të Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, gegnishtja u përjashtua nga jeta publike e kombit, në dobi të tosknishtës dhe, në anën tjetër, nga serbishtja, si gjuhë zyrtare, e domosdoshme dhe e pashmangshme, e regjimit jugosllav. Në këtë terror të dyfishtë gjuhësor nga Tirana staliniste dhe Beogradi titist, siç vëren disidenti shkodran Arshi Pipa, gjuha e kosovarëve u deformua në një mishmash klishesh të huazuara nga serbishtja dhe shqipja zyrtare. Si pasojë e kësaj në Kosovë belbëzimi u bë fenomen masiv, ndërsa në rrafshin kulturor nuk u arrit kurrë të krijohej një letërsi e mirfilltë. Edhe vetë fakti se Surroi nuk po arrinë dot të bëhet shkrimtar serioz e i lexueshëm, e  ka burimin pikërisht tek ky krim gramatikor që komunistët e të dy anëve bënë mbi gjuhën e kosovarëve. Letërsia është një sofistikim estetik i shprehjes gjuhësore në një komunitet human, prandaj, nëse ndodh që kjo shprehje të çrregullohet me masa diktatoriale, atëherë, natyrisht se do të shkatërrohet edhe kushti elementar që mundëson këtë sofistikim estetik. Pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë. Nuk është e rastësishme pse poezitë më të mira në Kosovë janë ato të Esad Mekulit, i cili shkruante në një variant shumë autentik të gegnishtes. Nuk është ide e keqe që edhe Vetoni t’i kthehet kësaj gjuhe mekuliane. Në një rast të tillë, ndoshta, do të kishim mundësi të lexojmë prej tij ndonjë roman që do të meritonte të quhej i tillë, e jo vetëm komentet publicistike, të cilat, duhet pranuar, janë zhanri i vetëm në të cilin Vetoni shkelqen.

Në fund një vërejtje për pjesën tjetër të reagimit të Surroit.  Derisa kritikon atë që e quan “filozofia e sundimit të pakicës”, si ideologji e koalicionit paraprak dhe të tanishëm qeverisës, Surroi harron se faktin se tanimë janë bërë dy vite që një pakicë parlamentare, me masa të dhunshme, ka bllokuar funksionimin normal të shtetit. Gazi e helmet kimike në Kuvendin e Kosovës në thelbin e tyre ishin kompensim për mungesën e numrave. Një kompensim gjithsesi i paligjshëm dhe antidemokratik, të cilit Surroi ka zgjedhur t’i bëjë apologjinë mbi bazën e kritereve që përcaktojnë shumicën e pakicën jashtë parametrave procedural e kushtetues. Në këtë mënyrë Vetoni liberal ia ka lëshuar vendin Vetonit populist. Kjo, natyrisht, nuk i shërben për mirë askujt, aq më pak pakicës së atyre që ende besojnë në forcën e fjalës së shkruar.

[ad_2]