‘Mbi gjysmë milioni refugjatë kanë kaluar kufirin e BE-së ‘raporton Frontex

E publikuar: 15/09/2015 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Që nga fillimi i vitit numri i refugjatëve dhe emigrantëve që kanë kaluar kufirin e Bashkimit Europian arrin në më shumë se gjysmë milioni, ndërsa në vitin 2014 raportohet të kenë kaluar 280 mijë refugjatë dhe emigrantë. Raporti është dhënë nga agjensia kufitare Frontex, e cila ka paralajmëruar se mund të ketë ndodhur që disa njerëz  të jenë numëruar dy herë.

“Më shumë se 500,000 refugjatë dhe emigrantë kanë kaluar kufirin e BE-së në tetë muajt e parë të këtij viti,” thuhet në deklaratën e Frontex-it, transmeton Gazeta Blic.
“Megjithatë, një numër i madh i personave mund të jenë numëruar dy herë,” thuhet në deklaratë, duke sugjeruar që numri i refugjatëve mund të jetë edhe më i vogël.

Ishujt grekë kanë pritur numrin më të madh të refugjatëve, ku vetëm në gusht kanë hyrë rreth 88 mijë refugjatë, 11-fish më shumë se në gushtin e vitit të kaluar, transmeton Gazeta Blic.
75% e refugjatëve që kanë arritur në ishujt grekë janë sirianë, që kalojnë nga Turqia për në Greqi.
Drejtori Ekzekutiv i Frontex, Fabrice Leggeri, ka bërë të ditur se agjensia u ka ofruar autoriteteve greke ‘personel shtesë për të ndihmuar në identifikimin dhe regjistrimin e të ardhurve të rinj në Lesbos dhe Kos”.
“”Që nga fillimi i vitit, 106,000 refugjatë dhe emigrantë janë shpëtuar në Mesdheun Qendror (duke u përpjekur për të arritur në Itali), 6% më pak se në të njejtën periudhë të vitit të kaluar,” thuhet në deklaratë, transmeton Gazeta Blic.
Ndërkaq, autoritetet turke kanë raportuar se kanë shpëtuar rreth 42 mijë refugjatë dhe emigrantë nga anijet e përmbysura.
Fotoja e tmerrshme e  tre-vjeçarit Aylan Kurdi, trupi i të cilit u nxorr nga deti  pranë qytetit turistik të Bodrumit, në Turqi, pati shkaktuar një shpërthim emocional të të gjithë njerëzve në mbarë botën, më pas duke bërë presion edhe te liderët europianë për të reflektuar më shpejt karshi krizës së refugjatëve.