Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së për miratimin e pakos ushtarake prej mbi 60 miliardë dollarësh.
“Është shumë domethënëse. Luftëtarët tanë në vijën e frontit, si dhe qytetet dhe fshatrat tanë që vuajnë nga terrori rus, do ta ndjejnë atë”, ka thënë Zelensky, transmeton KlanKosova.tv.
“Falënderoj të gjithë ata që kanë mbështetur paketën tonë, kjo është një zgjidhje për mbrojtjen e jetës. Unë personalisht falënderoj kryeparlamentarin Mike Johnson dhe të gjitha zemrat amerikane që besojnë, si ne në Ukrainë, se e keqja ruse nuk duhet të fitojë. Shpresoj që projektligji të kalojë shumë shpejt nga Senati i Shteteve të Bashkuara dhe t’i dërgohet Presidentit Biden”.
Ai ka thënë se Uashingtoni ka treguar lidership që nga nisja e pushtimit rus.
“Ne padyshim që do të përdorim ndihmën amerikane për të forcuar të dy kombet tona dhe për t’i dhënë një fund të drejtë kësaj lufte më afër, luftës që Putini duhet të humbasë”, ka thënë ai ndër të tjera.