Mbi 4600 vende pune në administratë të paplotësuara, vetëm vitin 2024 rreth 29 % e konkurseve dështuan

E publikuar: 18/10/2025 15:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në institucionet e administratës shtetërore, komunave dhe agjencive të pavarura, mijëra pozita pune kanë mbetur të paplotësuara, duke nxjerrë në pah dështimet serioze të institucioneve publike në menaxhimin e burimeve njerëzore. Sipas Planit të Përgjithshëm të Personelit për vitin 2025, të hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), aktualisht janë 4675 vende të lira pune, prej të cilave një pjesë e madhe janë pozita të mbetura bosh nga vitet e kaluara, raporton Infosot.

Nga ky numër, 2564 vende janë për nëpunës të shërbimit civil, 1827 për shërbimin publik, ndërsa 284 janë pozita teknike dhe mbështetëse. Vetëm në institucionet e administratës shtetërore janë planifikuar 1775 pozita të lira, ndërsa komunat raportojnë 2744 vende që presin të plotësohen gjatë vitit 2025. Në kategorinë e lartë drejtuese mungojnë 38 zyrtarë, ndërsa kategoria më e prekur mbetet ajo profesionale, me afro 2000 vende të lira.

Raporti tregon se nga gjithsej 4675 pozita, 1282 janë liruar për shkak të pensionimeve, ndërsa 3393 kanë mbetur bosh si rezultat i procedurave të dështuara të rekrutimit apo përfundimeve të kontratave të punës. Vetëm gjatë vitit 2024, rreth 29 për qind e konkurseve publike kanë dështuar, duke shtuar barrën mbi institucionet që tashmë përballen me mungesë serioze të stafit profesional.

Plani vë në dukje se, megjithë rregulloret e reja dhe digjitalizimin përmes sistemit SIMBNj, shumë institucione nuk kanë arritur të përmbushin afatet ligjore për planifikimin dhe raportimin e personelit. Në disa raste, vonesat burokratike, mungesa e kapaciteteve në departamentet e burimeve njerëzore dhe proceset e komplikuara të rekrutimit kanë ndikuar që pozitat të qëndrojnë të hapura për periudha të gjata.

Në aspektin arsimor, dokumenti thekson se profesionet më të kërkuara për vitin 2025 janë ato në juridik, ekonomi dhe shkenca shoqërore, ndërsa kërkesa të larta ka edhe për ekspertë në administratë, marrëdhënie me publikun, bujqësi, inxhinieri ndërtimi, financa dhe teknologji informative.

Një pjesë e vogël e vendeve të lira (23 pozita) do të jenë të dedikuara vetëm për gratë, në përpjekje për të nxitur barazinë gjinore në administratë, ndërsa 24 pozita do të plotësohen përmes sistemimit të bursistëve nga programi “Young Cell Scheme”.

Në nivel komunal, situata paraqitet edhe më shqetësuese. Komunat e mëdha si Prizreni, Mitrovica dhe Ferizaj raportojnë numrin më të madh të pozitave të paplotësuara. Kjo tregon, sipas raportit, “mospërputhje ndërmjet nevojave reale të komunave dhe kapaciteteve të tyre për të zhvilluar procedurat e rekrutimit në kohë”.

Raporti thekson gjithashtu se mungesa e kuadrove dhe zvarritjet në rekrutime po ndikojnë drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Shumë vende pune kanë mbetur të paplotësuara për shkak të dështimit të institucioneve në menaxhimin e stafit dhe mungesës së efikasitetit në proceset e rekrutimit”, thuhet ndër të tjera në dokument.

Në fund, MPB paralajmëron se zbatimi i planit do të monitorohet gjatë vitit 2025, ndërsa raporti për menaxhimin e burimeve njerëzore pritet të publikohet në fillim të vitit 2026.