Vazhdon largimi i shumë familjeve nga skema e ndihmës sociale. Ky numër po zvogëlohet për shkak se Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ka shtuar kriteret me qëllim të disiplinimit të listës.
E Hasibe Fejzullahu tash e një kohë të gjatë nuk ka strehë mbi kokë. Ajo ankohet se Komuna e Prishtinës nuk ia siguron qiranë, ndërsa nga muaji i kaluar ia ka ndalur edhe socialin. Thotë se po jeton pa asnjë të ardhur, ngase shkaku i sëmundjes nuk është në gjendje të punojë diku, raporton KTV.
Nga skema e ndihmës sociale është larguar edhe Sakibe Jashari.
Vetëm në muajin shkurt për rreth 400 familje nuk janë miratuar mjetet e nevojshme nga ana e Ministrisë.
Zyrtarë të Komunës së Prishtinës për këto raste fajin e hedhin te Ministria përgjegjëse, ngase sipas tyre, janë ata të cilët kanë ashpërsuar kriteret.
Largimin nga lista e socialit të shumë familjeve dhe shtimin e numrit të kritereve e pranojnë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Nga 29 mijë sa ishte numri i përfituesve të socialit më 2013, ky numër u zvogëlua në 27 mijë në vitin 2014.