Prishtina do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030, edicioni i XXI-të i këtij kompeticioni shumëdisiplinor, që do të zhvillohet nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030. Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë mbi 3.500 sportistë nga 26 shtete të rajonit mesdhetar, duke garuar në 33 sporte të ndryshme, ndërsa një pjesë e disiplinave ujore, konkretisht garat e lundrimit, do të zhvillohen në Durrës të Shqipërisë.
E drejta e organizimit iu dha Prishtinës më 8 shtator 2023, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare në Heraklion të Greqisë. Kandidatura e Kosovës fitoi mbështetje të gjerë, duke shënuar një moment historik për shtetin, i cili për herë të parë do të organizojë një ngjarje kaq të madhe sportive ndërkombëtare, që nga anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014.
Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 konsiderohet projekti më i madh sportiv i Kosovës deri më sot. Për këtë qëllim, institucionet kanë miratuar edhe një ligj të posaçëm organizativ, që synon përshpejtimin e investimeve në infrastrukturë sportive, objekteve kryesore në Prishtinë. Korniza organizative drejtohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Një rol të rëndësishëm në realizimin e projektit do ta ketë edhe marrëveshja e bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri, e nënshkruar në dhjetor 2024, e cila parasheh që Durrësi të shërbejë si qytet bashkëpritës për garat e lundrimit. Ky bashkëpunim është vlerësuar si thelbësor për përmbushjen e standardeve të Lojërave Mesdhetare dhe për rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të Kosovës përmes sportit./KP

















