Më shumë se 230 mjekë, infermierë dhe profesionistë të kujdesit shëndetësor, shumica prej të cilëve mbështesin për presidente Kamala Harrisin, po kërkojnë nga ish-presidenti Donald Trump të publikojë të dhënat mjekësore, duke argumentuar se ai duhet të jetë transparent në lidhje me shëndetin e tij.
“Trump po bie dukshëm nën çdo standard të përshtatshëm për kryerjen e detyrave dhe po tregon karakteristika shqetësuese të rënies së mprehtësisë mendore”, shkruan në letrën e siguruar nga CBS News.
Mjekët dhe infermierët theksojnë se kandidatët presidencialë tradicionalisht kanë publikuar të dhënat e tyre mjekësore, duke përfshirë senatorin e Arizonës, John McCain, i cili e bëri këtë gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2008. Gjatë garës së vitit 2020, Trump publikoi rezultatet e ekzaminimit fizik në muajin qershor, përpara ditës së zgjedhjeve.
Letra vuri në dukje se në mungesë të të dhënave të detajuara shëndetësore, “na mbetet të ekstrapolojmë nga paraqitjet publike”.
“Teksa të gjithë plakemi, humbim mprehtësinë dhe kthehemi te instinktet bazë. Ne po e shohim këtë te Trump, ndërsa ai përdor tubimet dhe paraqitjet personale për të folur pa lidhje, për të devijuar nga temat kryesore”, shkruajnë mjekët.
Kjo letër vjen ndërsa Harris ka ushtruar presion ndaj Trumpit që të publikojë të dhënat mjekësore, me fushatën e saj që e sheh kontrastin e tyre në moshë si një argument të rëndësishëm. Trump është 78 vjeç, ndërsa Harris mbush të dielën 60 vjet.
Të shtunën, Harris publikoi një letër të mjekut që thoshte se ajo “posedon qëndrueshmëri fizike dhe mendore” për të shërbyer si presidente. Ajo gjithashtu përshkroi detaje specifike në lidhje me historinë e saj mjekësore dhe shenjat vitale, dhe tha se ekzaminimi i saj më i fundit fizik ishte “i zakonshëm.”
“Unë kam publikuar të dhënat e mia mjekësore. Ai nuk i publikon të dhënat mjekësore. Dhe duhet të pyesni, pse stafi i tij po e bën këtë? Dhe mund të jetë sepse ata mendojnë se ai thjesht nuk është i gatshëm, dhe [është] i papërshtatshëm dhe i paqëndrueshëm dhe nuk duhet të ketë atë nivel transparence për popullin amerikan”, tha Harris.
Trump kishte thënë për CBS News në një intervistë të muajit gusht se ai do t’i “publikonte me kënaqësi” të dhënat mjekësore për publikun dhe se ai “kishte kaluar me sukses” dy teste njohëse.
Nëse zgjidhet, Trump do të ishte presidenti më i vjetër në histori deri në fund të mandatit të tij. /Telegrafi