Mbi 20 të vrarë nga të shtënat në Las Vegas

E publikuar: 02/10/2017 11:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara tha se mbi 20 veta janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

Personi i armatosur ka hapur zjarr nga kati i 32-të i Hotelit Mandalay Bay, drejt një festivali të muzikës që po mbahej pranë.

Policia tha se i dyshuari, i identifikuar si banor vendas, është qëlluar dhe vrarë nga oficerët.

Policia po ashtu tha se është vënë në kërkim të një personi tjetër, që ka udhëtuar me të dyshuarin.

Videot e postuara në mediat sociale tregojnë turma njerëzish duke ikur nga vendi i ngjarjes, derisa dëgjohet zhurma e armës automatike.

Ka pasur raporte edhe për incidente të tjera në lokacione të ndryshme përgjatë shiritit të Las Vegasit, por policia tha se beson se i dyshuari i vrarë ka vepruar i vetëm.

Një zëdhënëse e spitalit tha se 14 të plagosur janë në gjendje kritike.

Shumë hotele pranë vendit të incidentit në Las Vegas mbeten të mbyllura.

Disa fluturime u devijuan po ashtu.

Festivali i muzikës ishte duke u zhvilluar që nga e premtja, pranë disa hoteleve në shiritin e Las Vegasit.

Përgatiti: Valona Tela