Mbi 20 kg narkotikë kapen në Vërmicë

E publikuar: 17/02/2016 09:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njësit e Doganës e Kosovës së bashku me Policinë mbrëmë rreth orës 21:00 kanë arritur të kapin mbi 20 kg narkotikë të llojit marihuanë.

Gjatë kontrollimit të automjeteve në pikë-kalimin e Vërmicës, oficerët doganor kanë shfaqur dyshimet se një automjet me targa të Serbisë mund të transportonte mallra të ndaluara.

Pas ndalesës së veturës llojit Land Rover – Range Rover ngjyrë e zezë me tabela të Serbisë është ushtruar kontroll nga ana e doganës dhe policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e lartë përmendur është zbuluar një sasi e konsiderueshme e lëndës narkotike (dyshohet të jetë Marihuanë).

“Sasia e lëndës narkotike ishte 20410 gram(20 kilogram e 410 gram). Lënda narkotike u zbulua e fshehur në rezervuarin e benzinës së automjetit. Deri tek zbulimi erdhi përmes përdorimit të pajisjeve të specializuara donacion nga qeveria e SHBA-ve përmes programit EXBS. Vozitësi ishte shtetas i Serbisë, i njëjti është arrestuar nga ana e Policisë dhe rasti ka vazhduar tutje me hetimet”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë rast drejtori i përgjithshëm i Doganës, Rafuna theksoi se “Dogana e Kosovës përveç mbledhjes së suksesshme të taksave tanimë është shndërruar në një institucion i cili kontribuon në rritjen e përgjithshme të sigurisë dhe mbrojtjen e kufirit, gjithashtu falënderoj qeverinë e SHBA (programin EXBS) për mbështetjen e vazhdueshme pasi që rezultatet e kësaj përkrahje si në fushën e trajnimeve po ashtu edhe në atë të asistencës teknike prodhojnë rezultate maksimale”.

Dogana ftoi qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim, sepse vetëm së bashku mund të mbrojmë dhe ndërtojmë shtetin.