Mbi 101 mijë qytetarë nënshkruan peticionin e opozitës

E publikuar: 29/09/2015 13:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për dhjetë ditë të peticionit kundër marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kundër marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, janë mbledhur 101,672 nënshkrime të qytetarëve, kanë njoftuar përfaqësuesit e partive politike të Kosovës në opozitë.

Sipas përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma për Kosovën, peticioni do të vazhdojë të mbledhë nënshkrimet.

Peticioni nuk ka fuqi ligjore, por përfaqësuesit e opozitës thonë se pavarësisht kësaj, ata presin “reflektimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për ta tërhequr nënshkrimin e tij nga marrëveshja e arritur”.

Marrëveshja në fjalë është arritur më 25 gusht dhe është vlerësuar lart nga faktori ndërkombëtar, transmeton rel.

Opozita e cilëson atë si hap që çon drejt ndarjes së Kosovës.