Mbetet shumë për të bërë në mbrojtjen e burimeve e liqeneve

E publikuar: 12/04/2015 10:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjendja e ujërave në Prishtinë është shqetësuese, vlerësojnë zyrtarët komunalë dhe përfaqësuesit e ujësjellësit “Prishtina”.

Pavarësisht nga përparimet që janë bërë në sektorin e ujërave, zyrtarë të ujësjellësit, konsiderojnë se mbetet shumë për të bërë, sidomos, në mbrojtjen e burimeve dhe liqeneve.

Drejtori i Ujësjellësit “Prishtina”, Gjelosh Vataj, përmes shembujve konkret shpjegon se ligji nuk respektohet as në zonat e cilësuara
si të mbrojtura, dhe kjo ndodh, sipas tij, nga “njerëzit e fortë”.

“Është rasti të liqeni i Badovcit, aty i kemi dy pompa të benzinës, që janë bërë në fillim të liqenit, ato janë dy “bomba atomike” që nëse eksplodojnë, liqeni është praktikisht i papërdorshëm. E njëjta situatë është edhe në liqenin e Batllavës edhe në Ballaban. Te liqeni i Batllavës kemi të ndërtuara shtëpiza, që janë ndërtuar brenda zonës së parë ( zona e parë – nuk lejon asgjë të ndërtohet në distancën prej 10 metrave nga liqeni ) të cilat janë ndërtuar t’ju them nga njerëzit e fortë të Kosovës, dhe atë në 4 apo 5 vitet e fundit”.

Vetë njeriu është identifikuar si faktori kryesor edhe në ndotjen e lumit, Llap, Prishtina e Graqanka.

Sebiha Bajraktari nga drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në Prishtinë thotë për Radio Kosovën se këta lumenj gati sa nuk janë shndërruar në deponi të mbeturinave.

“Lumenjët e Prishtinës të cilët kanë nevojë për një ndërhyrje urgjente janë: Lumi Graqanka, Lumi Prishtina/ Prishtevka dhe Lumi Llap. Lumi Prishtina më së paku mund të quhet lum ngase më tepër i përngjan një kolektori të ujërave të shkarkuara (ujërave të zeza) të kryeqytetit”.

Pas çfarëdo niveli të reshjeve atmosferike Prishtina me rrethinë, vërshohet. Kjo ndodh për shkak të pllakëzimit, apo për shkak se nga ndërtimet -ka mbetur shumë pak tokë që thithë ujin.

Lagjja Dodona, është më e rrezikuara thotë Liburn Aliu nga Drejtoria e Urbanizmit. Kolektori i cili do të grumbullonte ujërat e zeza, shihet si shpëtim.

“Nëse ministria nuk e merr seriozisht çështjen e ndërtimit të një kolektori, komplet këto objekte qeveritare do të detyrohen për të bërë secila impiant të vetin dhe përsëri ti e merre e trajton ujin dhe e lëshon ujin e trajtuar si nj pronë ku janë prapë ujërat e zeza sepse komplet lokaliteti komplet banorët e asaj ane, prapë do t’i lëshojnë ujërat e zeza aty dha çka bën ti? Ti prapë e rrit vëllimin e atij përroi dhe prapë ki me pas vërshime me ujëra të zeza, pra nuk është zgjidhje. Qysh mujm me zgjidh një gjë të tillë? Pa e pas ministria një gatishmëri për të ndryrë në këtë çështje, se komuna nuk mundet vet me kapacitetin e vet me ndërtuar një gjë të tillë për shkak se edhe territorialisht kalon nëpër tri komuna ai kolektor. Pra, na vyn një bashkëpunim ndër komunal , na vyn intervenim nga Qeveria, e cila kish me e ndihmu krijimin e këtij kolektori”.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë strategjinë kombëtare të ujërave e cila kur është hartuar është paraparë që të ketë fushëveprim nga 2014 deri më 2033.

Kjo shpjegon më së miri se sa me seriozitet trajtohen çështjet e ujërave në Kosovë, thonë zyrtarë komunalë në Prishtinë.

Ndërkaq sa i përket ujit nga i cili furnizohen qytetarët, ai është i pijshëm thonë zyrtarë të Institutit për Shëndet Publik. /RTK/