Gjykata e Apelit përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka ka lënë në fuqi masën prej një muaji paraburgim, ndaj të dyshuarve Vahide Badivuku, K.H. dhe M.O.
“Në këtë mënyrë kolegji prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPRKR.nr.311/20014, të datës 24.08.2015.
Vahide Badivuku po dyshohet nga ana e prokurorisë, se ka kryer veprat penale:” Marrje e ryshfetit”, nga neni 428, paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës, si dhe” Keqpërdorim i pozitës zyrtare nga neni 422, i të njëjtit kod. Ndërsa K.H. dhe M.O. për veprën penale “Ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, neni 431 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet e bëra në ankesa nuk qëndrojnë, ngase bazuar në shkresat e lëndës, janë plotësuar shkaqet dhe arsyet ligjore për caktimin e masës se paraburgimit, ashtu siç parashihen në nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale.