Një dukuri shqetësuese që po mbretëron kohëve të fundit në komunën e Mitrovicës është edhe mos regjistrimi i fëmijëve të porsalindur. Sipas zyrtarëve të Shërbimit të Gjendjes Civile,nga të dhënat e repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Mitrovicës vetëm gjatë muajve të fundit kanë mbetur pa regjistruar rreth 300 foshnje të porsalindura.
Zyrtarë të sektorit të gjendjes civile në Mitrovicë, kanë shpjeguar se në vitin 2013, nga 1189 fëmijë të lindur kanë mbetur 163 pa regjistruar ndërsa në 11 muajt e këtij viti, në Spitalin e Mitrovicës, kanë lindur gjithësejt 1603 fëmijë ndërsa në regjistra të gjendjes civile mungojnë 107 fëmijë.
“Gjithmonë jemi duke folur në bazë të regjistrave të të lindurve në Spitalin e Mitrovicës, ndërsa që gjendja civile ka edhe emrat e nënave që kanë lindur e që fëmijët e tyre nuk janë regjistruar për arësye të ndryshme” kanë thënë zyrtarë nga kjo komunë.
Por nëse prindërit nuk e bëjnë regjistrimin e fëmijëve të posalinduar në bazë të ligjit nëse fëmija mbush një muaj dhe nuk regjistrohet atëherë pason edhe dënimi që përfshihet nga 25-50 euro.
Zyrtarë të Spitalit të Mitrovicës, të repartit të Gjinekologjisë, lidhur me këtë dukuri në kushte anonimitetit kanë theksuar se Spitali ka raporte shumë të mira me shërbimin e gjendjes civile dhe se çdo lindje me dokumentacion të tërësishëm e përcjellin në zyrën civile që gjendet në spital por kanë thënë se mjekët nuk munden me i detyruar doemos prindërit për t’i regjistruar fëmijët e porsalindur./Indeksonline/