​Mbështetje masive për ish-krerët e UÇK-së në Tiranë, Rama: Zemra mal

E publikuar: 17/10/2025 17:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me moton “Liria ka emër” qytetarë të shumtë nga të gjitha trevat shqipfolëse po protestojnë sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të shprehur solidaritetin me ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët mbahen në paraburgim në Hagë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikoi pamje nga sheshi “Skënderbej”, i veshur me flamujt kombëtarë të Shqipërisë e Kosovës dhe me simbole të UÇK-së, ku qytetarë nga të gjitha trojet etnike kërkojnë njëzëri drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

“Zemra mal”, ka shkruar Rama në Facebook krahas pamjeve nga sheshi “Skënderbej”.

Kryeministri Rama ka deklaruar më herët mbështetjen e plotë për organizimin e kësaj proteste gjithëkombëtare në Tiranë, ndërsa është shprehur se do t’i bashkohej kësaj proteste si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të ishte i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.

Me moton “Liria Ka emër” kjo protestë ka bashkuar qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora të cilët mbajnë në duar flamuj kuqezi dhe pankarta me thirrje kombëtare për lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

E cilësuar si një protestë jopolitike, “Liria ka emër” ka bashkuar në sheshin “Skënderbej”, veç veteranëve të UÇK-së edhe studentë, politikanë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, personalitete nga fusha të ndryshme dhe qytetarë që shprehin mbështetjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

I pranishëm në protestën “Liria ka emër” në sheshin “Skënderbej” në Tiranë është edhe Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Protesta e sotme organizohet në Tiranë nga veteranët e UÇK-së, dhe është protesta e tretë që po organizohet gjatë këtij viti në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta e parë u organizua në Prishtinë në 7 gusht dhe e dyta në Hagë në 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, transmeton ATSH.

Prej 3 prillit të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.