Mbappé “PO” për udhëtim, “NDOSHTA” për lojë; dilemë para El Clásicos

E publikuar: 09/01/2026 23:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të dielën Real Madrid dhe Barcelona do të përballen në finalen e madhe të Superkupës së Spanjës, e cila zhvillohet në Arabinë Saudite. Vëmendja kryesore para këtij superdueli është gjendja fizike e Kylian Mbappé.

Para gjysmëfinales ndaj Atlético Madrid, kishte pikëpyetje të mëdha nëse sulmuesi francez do të ishte i gatshëm për të udhëtuar, për shkak të disa shqetësimeve fizike. Megjithatë, pas fitores ndaj “Los Colchoneros”, trajneri Xabi Alonso konfirmoi se Mbappé do të udhëtonte me ekipin.

Sot, sulmuesi francez ka zbarkuar në Arabinë Saudite së bashku me skuadrën, duke shuar dyshimet për mungesën e tij në finalen e madhe. Megjithatë, mbetet ende për t’u parë nëse ai do të jetë i gatshëm për të luajtur ndaj Barcelonës, apo nëse stafi teknik do të vendosë ta kursejë.

Vendimi përfundimtar për aktivizimin e Mbappé pritet të merret në orët e fundit para finales, ndërsa tifozët e Real Madridit shpresojnë ta shohin yllin francez në fushë në një nga ndeshjet më të mëdha të sezonit.