Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Sami Mazreku, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se numri i automjeteve të paregjistruara në Kosovë ka rënë në rreth 4.8% nga 30% sa ishte para vendosjes së stikerave dhe marrëveshjeve të arritura me Ministrinë e Infrastrukturës dhe asaj së Brendshme.
Tutje, Mazreku ka treguar se projekti i stikerave është mbuluar nga BKS-ja, përmes kompanive të sigurimeve, kështuqë qytetarët nuk kanë pasur nevojë të paguajnë për vendosjen e stikerave.
E gjitha kjo, sipas Mazrekut, së bashku me kontributin e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Kosovës, ka bërë që Kosova ta ketë një numër të automjeteve të paregjistruara brenda shifrave të lejuara nga Këshilli i Evropës.Madje sipas tij, kjo i hap rrugë edhe anëtarësimit në Kartonin e Gjelbër.
“Një nga sfidat për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, përveç problemit politik, është edhe numri i lartë i automjeteve të paregjistruara. Para se t’i ndërmarrim këto veprime, ka qenë diku 30%, numër i lartë, i automjeteve te paregjistruara”.
“Gjatë muajit mars kemi nënshkruar një marrëveshje me Bankën Qendrore, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Brendshme, që t’i ndajmë detyrat. Ne e kemi financuar projektin e stikerave. Kostoja financiare për mbulimin e stikerave është bartur, përmes BKS-së, te kompanitë e sigurimeve. Domethënë qytetarët nuk kanë paguar për vendosjen e stikerave”.
“Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme, për herë të parë ka bërë pastrimin e data-bazave dhe aktualisht kemi vetëm 4.8% të numrit të automjeteve të paregjistruara, nga 5 sa është numri i lejuar nga Këshilli i Evropës”.
“Një punë të madhe është duke e bërë edhe Policia e Kosovës. Ata janë pajisur edhe me pajisje teknologjike që në mënyre automatike i dedektojnë këto vetura. Ne si BKS, kemi vendosur që Policisë së Kosovës t’ja lehtësojmë punën në terren. Një veturë e cila ka një stiker me ngjyrë të kuqe, automatikisht dihet se ajo veturë është regjistruar në vitin 2022. Në vitin e ardhshëm do të ndërrohet ngjyra. Kështu Policia nuk ka fare nevojë që ta ndalojë një veturë për ta kuptuar se a ka apo jo regjistrim valid”.
“Që nga muaji janar deri në muajin korrik, janë 22 mijë qytetarë më shumë të regjistruar, në krahasim me vitin 2021”.