Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e ka të definuar qartë se si mund të procedohet tutje, në rast se dështon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit në seancën e thirrur më 3 gusht. Kështu të paktën ka deklaruar eksperti juridik, Mazllum Baraliu.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Kushtetuta nuk e sqaron se si mund të procedohet tutje zgjedhja e të parit të Parlamentit.
Por, Baraliu ka sqaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014 e ka lënë të hapur mundësinë që grupi i njëjtë partiak ta propozojë sërish kandidatin e njëjtë në seancat e caktuara më vonë.
“Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 është lënë hapur mundësia që koalicioni ose partia e cila propozon herën e parë, ta propozojë edhe një herë tjetër kandidatin në séancat të caktuara të mëvonshme. Mund të propozohet edhe ndonjë deputet tjetër, munden të gjithë deputetët në bazë të rregullores së punës së Kuvendit të propozohen deri sa të kompenzohet apo harxhohet propozimi i caktuar”, ka thënë ai.
Megjithatë, sqarime tjera rreth çështjes se çka mund të ndodhë nëse nuk votohet një kandidat, nuk jepet nga Kushtetuta.
Sipas Baraliut, është dashur të determinohet edhe sa herë mundet të propozohet dikush.
Ai ka komentuar rreth çështjes së formimit të Qeverisë, duke thënë se Presidenti mund t`i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme vetëm nëse kalon afati 60 ditor që nga konfirmimi i rezultateve zgjedhore.
“Nuk mund të kalojnë 60 ditë, prej ditës kur janë konfirmuar rezultatet dhe është konstituuar Kuvendi. Nëse nuk formohet Qeveria atëherë Presidenti e ka për obligim që vendin ta çojë në zgjedhje, i shpallë zgjedhjet e reja të parakohshme”, është shprehur ai./Indeksonline/
















