Maxhuni raportoi për herë të parë si shef i AKI-së, pa të reja rreth dëbimit të shtetasve turq

E publikuar: 18/06/2018 13:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i ri i AKI-së, Shpend Maxhuni ka raportuar për herë të parë pas marrjes së këtij posti, para Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së.

Pas takimit zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni, Ganimete Musliu tha se në këtë takim janë informuar për gjendjen e sigurisë në vend, e cila siç tha ajo është e qetë.

Sa i përket veriut, tha se problematikat e njëjta vazhdojnë dhe më tutje në këtë pjesë, duke e sfiduar sigurinë dhe në përgjithësi gjendjen e shtetit tonë, transmeton kp.

Ndërsa e pyetur rreth raportimit të drejtorit të AKI-së para komisionit, lidhur me dëbimin e shtetasve turq, Musliu nuk komentoi rreth kësaj çështje. Ajo tha se është themeluar një komision parlamentar hetimor dhe deri në epilogun që do ta jap ai komision, nuk mund të thonë asgjë lidhur me rastin në fjalë.

Duke e komentuar emërimin e Maxhunit në krye të AKI-së, pasi që ai gjatë dëbimit të turqve nga Kosova ishte në krye të policisë, Musliu tha se emërimi i tij nuk është bërë jashtëligjshëm, pasi që në lidhje me rastin në fjalë, nuk është kërkuar shkarkimi i tij nga posti i të parit të policisë.

Musliu mendon se kjo ishte një zgjedhje kredibile, e cila ofron një përvojë dhe një angazhim që ai ka pasur në të kaluarën. Musliu beson që AKI është në menaxhimin e duhur.