Dje, Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka qëndruar për një vizitë në Beograd me ç’rast është takuar me homologun e tij serb, Milorad Veljoviq.
Në takim është biseduar për tema si: bashkëpunimi policor, integrimi policor, krimet ndërkufitare dhe migrimi i kundërligjshëm.
Mirëpo, megjithëse nga misioni EULEX ky takim është cilësuar si sukses që ka dalë nga bisedimet e ndërmjetësuara nga BE në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, kështu nuk duket në realitet.
Në një deklaratë për media para takimit mes dy drejtorëve të policive respektive, Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se takimi do të mbahet me drejtorin e Policisë së krahinës së Kosovës.
“Sot do ta presim në vizitë drejtorin e Policisë së krahinës sonë të Kosovës, i cili do të jetë këtu për t’i raportuar drejtorit Veljoviq në lidhje me gjendjen e sigurisë në krahinën tonë, por do të bisedojmë me të edhe për integrimet e për çështje tjera me rëndësi”, ka thënë Stefanoviq para gazetarëve, raporton Koha.net.
Kujtojmë se ky takim është lehtësuar nga EULEX-i si pjesë e mbështetjes së autoriteteve të Prishtinës dhe të Beogradit në kuadër të mandatit të tij për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Prishtinës dhe të Beogradit për sundimin e ligjit, duke përfshirë zyrtarët e policisë, drejtësisë dhe doganës.
/koha.net/