Matoshi: Presidentja në pakohën e Kosovës, blen kohë për Albin Kurtin

E publikuar: 22/07/2025 21:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po përballet me kritika të ashpra lidhur me qëndrimin e saj ndaj situatës së krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe krizës institucionale që ka kapluar vendin.

Në një reagim të fuqishëm autorial, gazetari Halil Matoshi e akuzon Presidenten për “opurtunizëm të frikshëm” dhe për ndihmesë të pavetëdijshme ndaj, siç e quan ai, projektit politik të Albin Kurtit për “shpërbërjen e rendit kushtetues”.

Sipas Matoshit, Presidentja “po i blen kohë Kurtit”, në vend që të ndërmarrë veprime konkrete për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Ai kritikon ashpër heshtjen e saj ndaj sulmeve të Qeverisë ndaj mediave dhe sistemit të drejtësisë, si dhe faktin që sipas tij, nuk ka demonstruar vetëpërmbajtje institucionale në kohë krize.

“Presidentja nuk po shfaq përgjegjësi shtetërore, por një lloj përputhjeje me qëndrimet e rrezikshme të kryeministrit Kurti. Në vend se të ruajë baraspeshën institucionale, ajo po e zgjat krizën, duke i krijuar hapësirë një projekti të paqartë politik,” shkruan Matoshi.

Ai shpreh shqetësim për faktin se Kosova është futur në një krizë të thellë politike, ku sipas tij, po rrezikohen integriteti territorial dhe sovraniteti shtetëror për shkak të ambicieve të një individi dhe një partie për dominim total politik.

Në opinionin e tij, Matoshi thotë se nuk janë as Presidentja e as Gjykata Kushtetuese që mund ta zgjidhin krizën, por duhet një “vetëdije e lartë shtetformuese dhe mobilizim shoqëror”, duke paralajmëruar se “shteti është në rënie të lirë – nëse jo ende, atëherë me paraglidë po”.

Sipas tij, populli i Kosovës duhet të zgjedhë: ose të mbrojë sovranitetin e shtetit, ose të lejojë një projekt vetëvendosës me frymë ideologjike që ai e krahason me “aventurën leniniste”.

Në fund, Matoshi shprehet se vetëm SHBA dhe aleatët e tjerë perëndimorë mund ta ndalin rrëshqitjen drejt autoritarizmit dhe ta rikthejnë Kosovën në binarët e shtetit ligjor.