Matoshi: Kosova ka mundur e do të duhej të ketë më shumë njohje

E publikuar: 14/02/2016 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, vlerëson për se brenda 8 vjetësh, si vend i pavarur, Kosova ka mundur dhe është dashur të sigurojë më shumë njohje se sa që ka deri më sot.

“Liderët kosovarë kanë përmendur faktin se do të arrijnë që t’i kenë 130 njohje, aq sa i duhen Kosovës për t’u shtruar çështja e saj në Këshillin e Sigurimit (të OKB-së). Por, lidershipi i Kosovës nuk ka arritur deri tash që ta sigurojë këtë numër njohjesh, mbi të gjitha edhe për moskoordinim, për mospunë, për mosangazhim. Aleatët e Kosovës kanë qenë në gatishmëri dhe thuajse shumicën nga këto njohje i kemi pikërisht prej angazhimit dhe lobimit të aleatëve, por shumë pak, fare pak, kemi nga angazhimet e lidershipit kosovar”, thotë Matoshi për Radion Evropa e Lirë.

Analisti Matoshi përkujton, siç e quan ai, fiaskon lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

“Edhe pse ne kemi tre apo katër resorë shtetërorë që merren me çështjet ndërkombëtare, përkatësisht me punët e jashtme, duke filluar që nga presidentja e vendit, pastaj Ministria e Jashtme, Ministria e Integrimeve (Evropiane) etj, por që nuk arritën praktikisht që t’i bindin, madje edhe aleatët ose vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën, që të votojnë për pranimin e Kosovës në UNESCO. Ndodhi e njëjta edhe me Parlamentin Evropian. Kështu që, Kosova është larg të bërit politika konsistente të jashtme”, thekson Matoshi.