Mashtroi se ishte punonjëse e Kryeministrisë, zhvati 30 mijë euro

E publikuar: 06/01/2016 23:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 10 vjet burg një 50¬vjeçare të akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda ndaj dy personave, njëri prej të cilëve, kunati i saj.

Sipas Gjykatës, e pandehura Esmeralda H., duke u hequr si punonjëse në Kryeministri, u ka premtuar dy të dëmtuarve se do t’u blinte automjete luksoze “Mercedes Benz” me çmim të arsyeshëm.

Me pretendimin se automjetet ishin nxjerrë në ankand nga rezervat e shtetit, e pandehura i ka marrë një shumë prej 5500 euro shtetasit A.Xh. në 2014 dhe 6500 euro kunatit të saj S.J., në vitin 2012.
Këtij të fundit, ajo i ka marrë dhe një shumë tjetër parash prej gati 18 mijë eurosh, duke i premtuar se do t’i jepte në këmbim një shtëpi te Libri Universitar.
Këtë shumë ajo ka pretenduar se i duhej për të dëmshpërblyer një llogaritje të gabuar që kishte bërë në Kryeministri, gabim që ishte zbuluar nga një shoqëri auditimi amerikane.
Sipas Gjykatës, nga shqyrtimi i provave rezultoi e provuar se e pandehura Esmeralda H., me anë të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit, ka mashtruar dy shtetasit që e kallëzuan atë.
Gjatë gjykimit ka rezultuar se e pandehura Esmeralda nuk ka qenë punonjëse e Kryeministrisë për periudhën janar 2012¬ dhjetor 2014.
Gjatë gjykimit, e pandehura është shprehur e habitur pse ndodhej në bankën e të akuzuarve. Në lidhje me paratë e marrë nga kunati i saj, ajo ka pretenduar se i janë nevojitur për kryerjen e disa ndërhyrjeve kirurgjikale te një anëtar i familjes.
Gjatë gjykimit ka rezultuar e provuar se ajo ka zhdëmtuar kallëzuesin A.Xh., duke ia kthyer paratë e marra.
Po ashtu, ajo i ka kthyer një shumë prej 2200 eurosh kunatit të saj dhe përmes një deklarate noteriale ku thuhej se i kishte dhënë hua prej 20 mijë eurosh të pandehurës, të cilat janë konsideruar si rrethanë lehtësuese nga gjykata. (Panorama)