Nga Çerçiz Loloçi
Fatos Lubonja i është rikthyer sërish polemikës me Kadarenë, duke marrë shkas nga botimi i fundit i “UET Press” me titull “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, të autorit Dashnor Kaloçi.
Konsekuent në ligësinë e tij, qysh nga largimi i shkrimtarit në Francë, 25 tetor 1990 dhe që prej kohës kur ai, në krye të një grupi konglomerat me Adrian Klosin, Kasem Trebeshinën e disa të tjerë që u thërrmuan vite më vonë njëri pas tjetrit, nisi një sulm frontal kundër Kadaresë duke e konsideruar miopisht si një pengesë në ambiciet e veta karrieriste, për të qenë në krye të klasës së re politike që po formësohej pas rënies së diktaturës.
Themi miopisht pasi Kadare, duke pasur një perandori letrash, të pangjashme me askënd, pra një shkrimtar i përbotshëm, nuk ka dashur asnjëherë të ngatërrohej me pushtetet ekzekutive që vijnë dhe ikin, qofshin në diktaturë apo në demokraci.
Por i keqkuptuar kundrejt Kadaresë, nuk ka qenë vetëm ky grup, segmente të partive opozitare, pra ata që do të vinin më pas në pushtet dhe do të dominonin postet e reja në proceset e reja demokratike do ta mbanin ‘ndezur’ luftën kundër Kadaresë me shpifje, denigrime, të pavërteta dhe bashkim fëlliqësish që ndonjëherë kalonin edhe kufijtë shtetërorë.
Të asaj periudhe janë sulmet e një Kokalar ambasadori në një vend perëndimor, bojkotimi shtetëror i një ceremonie në kryeqendrën franceze, që më shumë se i shërbente shkrimtarit i bënte nder Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe disa të tjera që vazhdojnë deri në ditët e sotme.
Po ku duket ligësia e këtij njeriu?
Kuptohet se ky njeri nuk ka qenë ndonjëherë kundërshtar i regjimit diktatorial, ka qenë pjesë e emërtesës së lartë komuniste dhe në kohën që u dënua i ati, u ndëshkua edhe ai, siç ndodhte rëndom me të ashtuquajturat “grupe armiqësore”, që i krijonte kohë pas kohe kupola komuniste.
Nuk duhet harruar se Todi Lubonja, ashtu si edhe Fadil Paçrami, ashtu si edhe më herët si Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe tërë ish-udhëheqja e lartë e sistemit diktatorial kishin veç e veç ose së bashku krime njerëzore, kishin vrarë vetë ose me dorën e tyre kundërshtarë të PKSH, të cilat ruheshin fanatikisht te më të besuarit e Enver Hoxhës dhe të cilat paracaktonin fatin e tyre: dënimin me pushkatim, me internim ose me degdisje në skutat më të varfra të një regjimi thellësisht të pangishëm dhe pa asnjë shpresë. Më pak se procesi i montuar gjyqësor ndaj Todi Lubonjës, atij i kanë vënë përpara raportimin e tij që thotë tekstualisht:
“Nr.25/5 Rez, 20 Qershor 1946
Komitetit Qendror të PKSH.
Lidhje me telin Nr.25/4 Rez datë 11 Qershor 1946.
Sot, më datën 19 Qershor 1946, në orët e para të mëngjesit u ekzekutuan me vendim të Gjyqit Special, katër të arrestuarit Nazif Reçi, Bajram Vlesha, Fiqiri Zeai dhe Gani Hoxha që u kapën disa ditë më parë.
Gjithashtu me vendim të Gjyqit Special, u ekzekutuan në Shumbat, tre strehues të Dam Kaloshit dhe Cen Elezit të quajturit Cen Selmani, Adem Bitri dhe Rustem Bitri.
Për të bërë që populli t’i aprovojë këto masa, do të organizojmë duke filluar që nga data 20 qershor 1946 mitingje dhe konferenca më të gjata në qendrat e grumbullimit të nën-prefekturave.
Në këto konferenca do të vihet në dukje se do të godasim pa mëshirë kriminelët dhe strehuesit.
Me këtë rast do të bëhet dhe thirrje për dorëzim duke theksuar se faji do t’u rëndohet më tepër në rast se nuk dorëzohen për të dalë para gjyqit.
Do të hidhet parulla për besëlidhjet e 3-4 fshatrave për mos strehimin e kriminelëve, kjo në formë e tifaqer.
Mbi efektet dhe përshtypjet e këtyre masave konferencave do t’u njoftojmë me letër të veçantë. Todi Lubonja”.
Me pak fjalë, hetuesit e komunizmit i kanë thënë se je vrasës i shtatë personave nacionalistë në Dibër, një kumt ky që dihej nga udhëheqja e lartë dhe nga personi që kishte kryer krimin, çka një ditë edhe mund të paguante për këtë akt.
Natyrisht se për këtë skemë dënimi Fatos Lubonja nuk ka shkruar asnjëherë dhe kurrsesi nuk ka dënuar qoftë edhe një rast të vetëm siç kanë bërë fjala vjen Spartak Ngjela, Bashkim Shehu e ndonjë tjetër. Nuk ka asnjë dyshim se dënimi i tij në moshën 23-vjeçare me 17 vjet burgim ka qenë i padrejtë, antinjerëzor, me proces hetimor të fabrikuar.
Thjesht ai u dënua si djali i Todi Lubonjës, por fati i tij nuk ishte i vetmi dhe më i rëndi njëkohësisht; të njëjtën fat patën të gjithë ata që u konsideruan si armiq, madje u ndëshkuan edhe më rëndë. Megjithatë kjo nuk i jep të drejtë atij dhe kujtdo tjetër që të mashtrojë me një varg të pavërtetash.
Akuza e Zylyftar Ramizit
Fatos Lubonja citon ish-zëvendësministrin e Brendshëm, Zylyftar Ramizin, që ka pohuar se Kadare ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Gjenerali”. Lajmin e botoi një e përditshme me kryeredaktor Ben Blushin. Po si është e vërteta? Zylyftar Ramizi ka qenë i denoncuar te Ramiz Alia me emër, mbiemër dhe funksion nga Ismail Kadare për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve të ndaluar në hetuesi apo degët e Punëve të Brendshme.
Në hakmarrje e sipër dhe në kohën që po gjykohej për krime kundër njerëzimit ai lëshoi shashkën kundër Kadaresë, që vështirë të besohej atëherë dhe tani. Themi vështirë pasi qenia formalisht anëtar i PPSH e përjashtonte kategorikisht edhe nga veprimtaria tjetër e agjentit të Sigurimit të Shtetit.
Por, përpos kësaj, një kërkesë publike e vetë Kadaresë në institucionin shtetëror të Verifikimit të Figurave e hidhte poshtë këtë shpifje. Gazeta e publikoi ndjesën, por ndërkaq dëmi i ishte bërë Kadaresë.
Një e pavërtetë tjetër që e rimerr ligësisht Lubonja është çështja e Janulla Rrapit. Tashmë ka shumë dokumente që hedhin dritë për veprimtarinë e saj si bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit dhe fenomeni i saj nuk është gjë tjetër veçse një përdorim i paskrupullt i Sigurimit të Shtetit, njëfarësoj ‘shtrydhje limoni’ dhe pastaj internim për pesë vjet. Për të freskuar kujtesën e Lubonjës, por edhe të disa simpatizantëve të Janullës, po risjellim disa dokumente ku nuk figuron Kadare, por dalin emra dhe persona të tjerë të ish-emërtesës komuniste:
“Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ministria e Punëve të Brendshme Sekret. Drejtoria e Punëve të Brendshme Ekze. Nr.2. Nr. 1566.
Tiranë, më 25.4.1984
Lënda: Propozojmë internimin familjarisht të Janulla Rrapit
Ministrisë së Punëve të Brendshme Drejtorisë I, Degës VIII Tiranë…
Punëtori Operativ: Çerçiz Salaj; Shefi Seksionit III: Shefqet Metaj; Drejtori i Punëve të Brendshme: Zef Loka; DAKORD: Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit: Foto ÇAMI”.
“Sekret/21
Ekzemplar Nr.______
Tiranë, më ______1984
Vërtetim biografik për Janulla Rrapin (Lepuri)…
Punëtori Operativ Shefi Seksionit III: Çerçiz Salaj, Shefqet Metaj
Drejtori i Punëve të Brendshme: Zef Loka”.
“REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE KOMISIONI I INTERNIMIT DHE I DEBIMIT SEKRET Ekzemplar Nr.1…
Tiranë, më 25.4.1984
VENDIM Nr.7
Komisioni i Internimit dhe i Dëbimit, i mbledhur më datën 25.4.1984, në bazë të Dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 5912, datë 26.6.1979, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme, vendosi:
Të internojë për pesë vjet kohë familjen e mëposhtme:
Janulla Mark Rrapi, e datëlindjes 1944, lindur në fshatin Përparim të rrethit të Sarandës e banuese në Tiranë, shtresë e varfër, me arsim 7-vjeçar, punëtore në NTU, e ve, e dënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare.
Renato Gori Rrapi, (i biri), i datëlindjes 1964, lindur e banues në Tiranë, me arsim të mesëm të pambaruar, pa punë, beqar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare…
Zëvendëskryetari i Komisionit: Hekuran Isai
Anëtarë: Rrapi Mino dhe Aranit Çela”.
Të vijmë tani te Dhora Leka, një ish-denoncuese e shkrimtarëve dhe figurave kryesore politike, të konsideruar kundërshtarë të regjimit komunist nga Bedri Spahiu e deri te Kadri Hazbiu. Këtë fakt Lubonja vazhdimisht e fsheh siç mbulon edhe krimet e Kasem Trebeshinës në krye të armës së Sigurimit të Shtetit dhe që në fakt goditjen e madhe e mori pas dënimit të Mehmet Shehut, Feçor Shehut, pra grupit të fundit “armiqësor” të zbuluar nga PPSH.
Përmendja e rasteve të mësipërme e rreshton Lubonjën në krahun e atyre që të keqen e një sistemi gjakatar nuk e kërkojnë te themeluesit dhe ekzekutuesit e vërtetë, por ndër radhët e shkrimtarëve që edhe në raste juntash apo regjimesh po aq të egra sa komunizmi bëheshin frymëzues të lirisë dhe demokracisë.