Mashtrimi i 57-shit

E publikuar: 29/04/2025 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkruan: Albinot Maloku

Ishte viti 1957, dhe tymi i mashtrimit filloi të ngrihej nga paketat e para të ‘Filter 57’.

Askush nuk e dinte ende që ajo cigare, e kthyer me kokë poshtë, do të bëhej metafora perfekte për një sistem të tërë.

Në mesin e punëtorëve që nuk bënin pyetje dhe burokratëve që shpiknin përgjigje, një djalosh që paketonte cigaret me dorë të lënduar do të dyshonte për herë të parë…

Dhe nga ajo dyshim i vogël do të shpërthente një histori që do të përmbyste qetësinë e mashtrimit të institucionalizuar.

Sistemi monist, ndër të tjera, ishte mashtrues — aq sa edhe logjika më dembele nuk mund ta pranonte atë që i servohej si diçka e pranueshme!

Në vitin 1957, në Republikën Socialiste të Sllovenisë, në përbërje të RSFJ-së, kompania e duhanit “Tobaçina Lublana”, në bashkëpunim me kompaninë iraniane “Imperial Tobacco”, filloi prodhimin e cigares së parë me filtër në Jugosllavi, me emrin “Filter 57”.

Ndryshe nga markat e tjera të kohës moniste, këto cigare ishin paketuar me kokë poshtë.

Ky detaj i vogël, në pamje të parë i parëndësishëm, u shoqërua me një shpjegim zyrtar po aq absurd sa edhe sistemi vetë: sipas autoriteteve, cigaret ishin vendosur me filtër nga poshtë për të mbrojtur punëtorët nga infeksionet, në rast se ata i kapnin cigaret me duar të ndotura.

Duke qenë se pjesa e ndotur digjej, mendohej se konsumatori do të vendoste në gojë vetëm filtrin e pastër.

Por e vërteta ishte krejt ndryshe. Një gabim teknik gjatë paketimit nuk u pranua kurrë nga prodhuesi, i cili, për të mos dëmtuar imazhin e fabrikës, ndërtoi një mashtrim që u përhap dhe u pranua si i mirëqenë nga opinioni publik.

Një gënjeshtër që filloi me një paketim të kthyer përmbys, dhe përfundoi duke zbuluar përmbysjen e vetë së vërtetës në një sistem që jetonte nga simulimi.