Një burrë nga Peja dyshohet se është mashtruar me 134 mijë euro nga një person nga Lipjani, i cili ishte paraqitur si mjek kirurg dhe i kishte premtuar transplant veshke në Turqi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, i dyshuari Valmir Hajrullahu kishte shfrytëzuar gjendjen e rëndë shëndetësore të viktimës, duke kërkuar pagesa të vazhdueshme për shërbime që nuk ekzistonin.
Në këtë skemë dyshohet se ishin të përfshirë edhe persona të tjerë, ndërsa për ta bërë mashtrimin më të besueshëm ishin përgatitur dokumente të falsifikuara, përfshirë termine mjekësore, bileta avioni dhe fatura.
Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për Hajrullahun, por gjykata i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Ai ishte në arrati deri më 20 shkurt 2026, kur u vetëdorëzua në polici.
Për këtë rast ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, e cila zbuloi detaje mbi skemën e dyshuar të mashtrimit që, sipas hetimeve, ishte ndërtuar mbi premtime të rreme për trajtim mjekësor jashtë vendit.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar telefona, kartela bankare dhe dokumente që dyshohet se janë përdorur për ta bërë mashtrimin më të besueshëm.
Rasti po hetohet nga autoritetet si vepër penale “Mashtrim”.


















