Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, se nesër, e hënë, 20 prill 2015, do të vazhdojë procesi i rregullt mësimor sipas kalendarit shkollor, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar dhe në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës. Ftojmë të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit, që në bashkëpunim me drejtorët e shkollave të Kosovës, me mësimdhënësit dhe prindërit, të kujdesen për vijimin e rregull të mësimit.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, rikujton për të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit, që kanë mbetur pak më shumë se një muaj deri në mbajtjen e Testit të Arritshmërisë, si dhe Provimit Shtetëror të Maturës, rezultatet e të cilave janë shumë të rëndësishme për vazhdimin e shkollimit të lartë, prandaj, interesi i nxënësve është vijimi i rregullt i mësimit.
Qeveria e Republikës së Kosovës, javën e kaluar ka marrë vendim për fillimin e pagesës prej 0.5% për përvojën e punës së punëtorëve të arsimit dhe me këtë rast falënderojmë Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në të kaluarën ka ngritur pagat e mësimdhënësve dhe ka punuar shumë në përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënëseve. Duke vlerësuar lartë kontributin dhe punën e çmueshme të mësimdhënësve tanë, do të vazhdojmë përpjekjet për avancimin e pozitës së mësimdhënësve, krahas ngritjes së cilësisë dhe rezultateve të mira në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës, njofton Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.