MASHT finalizon ligjin për njohjen e statusit të mësimdhënësve të viteve 90-99

E publikuar: 26/02/2018 00:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka bërë të ditur se ministria të cilën udhëheq ai tashmë ka finalizuar Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës për vitet 1989/90-1998/99.
Bytyqi gjithashtu ka theksuar se tashmë ky Ligj nga ana e ministrisë së tij është dërguar për miratim dhe se tani është duke u parë vetëm ndikimi buxhetor.

“Të nderuar mësimdhënës, ju njoftoj se ditë më parë së bashku me Kryeministrin Haradinaj dhe ministrin e Financave Hamza, takuam përfaqësuesit e SBASHK-ut. Gjatë takimit veç tjerash diskutuam edhe rreth Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës për vitet 1989/90 – 1998/99”, ka njoftuar Bytyqi.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tashmë ka finalizuar këtë Ligj të cilin e kemi dërguar për miratim, dhe tani është duke u parë vetëm ndikimi buxhetor që nuk varet nga ne”, ka thënë ai.