Ministri në Detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka prezantuar sot para mediave kufizimet e reja për qytetarët.Ai ka bërë të ditur se lehtësimi i masave do të bëhet në tri faza.
“Heqja e kufizimeve do të bëhet në tri faza. Faza e parë nga 4 maj deri në 18 maj. Do të zgjerohet orari i lëvizjes nga 1.5 në tri orë, njëra paradite njëra pasdite. Gjithashtu hapim këto pjesë të ekonomisë: Ndërtimtaria, patundshmëria, tregtia me pakicë, zyret konsulencës, ndërkaq lista e plotë e veprimtarive do të publikohet”, ka thënë ai.
Vitia ka thënë se faza e dytë do të fillojë më 18 maj, teksa lehtësimet do të bëhen në bazë të rekomandimeve të IKSHP-së.
“Faza e dytë, 18 maj deri 1 qershor: Lehtësohen masat varësisht nga rekomandimet e IKSHP-së dhe OBSH-së. Kalimi nga faza e parë në të dytën varet nga të gjithë ne. Nëse nuk kemi rritje të rasteve, natyrisht do të ecim përpara. Nëse infektimet rriten me shpejtësi atëherë do të kthehemi prapa”, ka thënë ai.