Anthony Blinken The NewYork Times
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka qenë i ashpër dhe i drejtpërdrejtë me Qeverinë e Albin Kurtit, për shkak të zhvillimeve në veri.
Përveç se ka përmendur pasoja për Kosovën dhe për raportet e saj me SHBA-në, Hovenier ka treguar se nuk ka gatishmëri të zyrtarëve të lartë amerikanë për t’u takuar me zyrtarët e lartë të Kosovës.
“Do të befasoheshim sikur në rrethanat e tanishme do të kishte gatishmëri për takime të zyrtarëve të lartë, edhe nga SHBA-ja në Kosovë, edhe anasjelltas”, ka thënë Hovenier.
Ky qëndrim i SHBA-së, siç thotë ambasadori amerikan, vjen pasi Qeveria e Kosovës vendosi që njëanshëm dhe pa koordinim me SHBA-në të fusë kryetarët e rinj shqiptarë në tri komunat me shumicë serbe, përkundër rezistencës së turmave të banorëve lokalë.
Poashtu, Hovenier thotë se SHBA-ja ia ka bërë Kurtit dy kërkesa, por ai nuk i ka pranuar. Sipas diplomatit amerikan, kërkesat e SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës janë që të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.
SHBA-ja e ka dënuar vendimin e Qeverisë të premten, kur përmes njësisë speciale të Policisë së Kosovës, tre kryetarët e rinj u futën në objektet komunale të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Dënimit të SHBA-së i janë bashkëngjitur edhe shtetet e tjera perëndimore, që konsiderohen aleate të Kosovës.
Por, Qeveria nuk është tërhequr dhe protestat kanë vazhduar edhe të hënën. Para objekteve të komunave, mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve kishin hyrë forcat e KFOR-it. 30 ushtarë të KFOR-it kanë marrë lëndime gjatë përplasjeve me protestuesit në Zveçan. /Express