Stephen Paddock, agresori që vrau 58 persona dhe plagosi më shumë se 500 të tjerë në Las Vegas të dielën, kishte vendosur disa kamera rreth dhe brenda dhomës së tij të hotelit.
Autoritetet amerikane thanë se Paddock kishte instaluar dy kamera në korridor dhe një tek syri derës për të parë afrimin forcave të rendit. Hetuesit amerikanë ende nuk kanë asnjë të re përsa i takon arsyeve që e shtynë 64-vjeçarin që të kryente masakrën, por nuk kanë dyshime se ai e kishte planifikuar në detajet më të vogla, me një saktësi të frikshme ushtarake.
Prenotimi i dhomës disa ditë para koncertit dhe përzgjedhja e pozicionit të saj dhe transporti në dhomën e hotelit i 23 armëve e mijëra fishekëve të cilët vrasësi nuk i çoi atje menjëherë. Hetuesit thanë se Paddock përdori një pajisje speciale që shitet në dyqanet e armëve dhe që në thelb është një qytë e modifikuar në mënyrë që arma nga gjysmëautomatike të kthehet në plotësisht automatike dhe me ritëm më të shpejtë zjarri deri në 800 fishekë në minutë.
Duke shtuar kamerat dhe faktin që ai përdori mjete identifikimi të partneres së tij për të hyrë në hotel, tregon një shkallë tejet të lartë planifikimi. Autoritetet ndërkohë bënë me dije se partnerja e vrasësit, Marilou Danley, nuk ishte në SHBA gjatë masaktrës, një tjetër detaj i planifikimit, por tashmë është kthyer me kërkesë të autoriteteve për të parë nëse ka informacione shtesë.
Hetuesit amerikanë ndërkohë publikuan pamjet e filmuara nga kamerat e policëve në momentet e sulmit.
Vrasja masive, më e rënda në historinë moderne të SHBA, ka rihapur debatin për ligjet e armëve në vend, megjithëse Presidenti Donald Trump tha se kjo nuk është koha për këtë diskutim dhe nëse e shkuara është për t’u marrë si bazë, duket se një kohë e tillë nuk ka për të ardhur kurrë.