Masakra e Reçakut, aktakuzë për krime lufte ndaj 21 personave

E publikuar: 30/12/2025 18:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se më 15 janar 1999, gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.

Prokuroria thekson se në periudhën 1998–1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Armatës së Tretë (i ashtuquajturi “Korpusi i Prishtinës”), si dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Sipas aktakuzës, fshati Reçak ishte rrethuar nga disa drejtime, më pas ishte granatuar, ndërsa forcat serbe kishin hyrë shtëpi më shtëpi, duke ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët. Gratë dhe fëmijët ishin dëbuar nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar ishin ekzekutuar. Hetimet kanë vërtetuar gjithashtu përdorim të dhunës fizike ndaj civilëve dhe maltretim të tyre.

Nga këto operacione, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapollc dhe Dremjak u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Meqenëse të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që procesi gjyqësor të zhvillohet në mungesë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.