Të kthehesh 16 vite pas e të kujtosh një ndër masakrat më të rënda të kryera në burgje që pas Luftës së Dytë Botërore, për njërin nga protagonistët e kësaj ngjarje nuk është aspak e lehtë.
Ish i burgosuri politik, tani deputetë në Kuvendin e Kosovës, Naitr Hasani, rrëfen për KosovaPress, se si kishte ndodhur masakra në Burgun e Dubravës, masakër kjo që pas vetës la të vrarë rreth 120 të burgosur shqiptarë e mbi 300 të tjerë të plagosur. Hasanin sado që është e dhimbshme të kthehesh në retrospektiv, ai prapë e bënë, duke dëshmuar edhe njëherë se ushtria, policia dhe tërë aparati shtetëror serb, kishin kryer krime kundër shqiptarëve. Ai rrëfen se bartja e të burgosurve nga të gjitha burgjet brenda territorit të Kosovës por edhe jashtë tij, kishte qenë e planifikuara në atë mënyrë që pastaj të ndodhet edhe ajo që ndodhi nga 19-25 maji i vitit 1999.
“Mbajtja nëpër burgje e shqiptarëve dhe bartja e tyre në Burgun e Dubravës ka qenë me urdhër nga kreu i shtetit dhe ministri i drejtësisë. Bartja nga të gjitha burgjet në Burgu i Dubravës, nga Burgu i Mitrovicës së Stremit, nga Burgu i Nishit, nga Burgu i Gjilanit, nga Burgu Prizrenit, nga Burgu i Pejës, nga Brgu i Prishtinës ka qenë përgatitje e planifikuar për masakër në Burgun e Dubravës. Këtë e kanë bërë udhëheqësia e shtetit dhe shteti serb dhe për këtë me 26 prill nga Burgu i Mitrovicës së stremit jemi bartë drejtpërdrejtë me autobus, 64 të burgosur për Burgun e Dubravës. Në mungesë të bartjes së plotë na kanë ndaluar në Burgun e Nishit dhe aty nga 26 deri më 29 kemi qëndruar në brgun e Nishit. Dhe bashkë me të burgosurit nga Burgu i Nishit, na kanë transportuar me tre autobus në Burgun e Dubravës. Më 29 kemi mbërri në Burgun e Dubravës. Në Burgun e Dubravës jemi trajtuar sikur kafshët. Në format më ç’njerëzore të mundshme që ekzistojnë në pjesën e torturës”, tha Hasani.
Të vrarët e parë në këtë masakër ishin tre, e të plagosur pesë, ndërsa ndër të vdekurit e parë siç rrëfen Hasani ishte Enver Topalli.
Bombardimi i këtij burgu nga avionët e NATO-së, e të cilët i kishin koordinatat e më hershme pasi që aty ishin të pozicionuar ushtria, policia dhe paramilitarët serb, drejtë të burgosurve shqiptar, ishte e planifikuar aq mirë nga ky aparat shtetëror, aq sa të burgosurit ishit të dezorientuar dhe nuk dinin se si të vepronin më tutje. Në tërë këtë situatë ku në ditët e para të bombardimeve mbetën të vrarë 21 të burgosur, me datën 22 maj, në mëngjesin e hershëm, ushtria serbe mblodhi rreth 800 tëburgosur në fushën e sporteve, çka për Hasanin shënoi edhe tmerrin më të mëdha që kishin përjetuar të burgosurit deri në atë kohë.
Kjo për Hasanin ishte dita më e tmerrshme që kishin përjetuar të burgosurit e Dubravës, aty kur edhe dy prej tyre kishin bërë vetëvrasje, duke mos arritur kështu të përballonin tmerrin që po shihnin me sytë e tyre.
Ndonëse në Kuvendin e Kosovës, Hasani thotë se ka pasur debate për këtë masakër, kanë dal edhe rekomandime, dhe përkundër që dihen kryesit e krimeve me emra dhe mbiemra, ende nuk është bërë asgjë dhe ende drejtësia nuk ka thënë fjalën e saj. Pse kjo ende nuk ka ndodhur, sipas Hasanit është për arsye krejtësisht banale, pasi që institucionet e Kosovës thonë se nuk kanë përgjegjësi ose ingirenca jashtë Kosovës, personat të cilët e kanë kryer këtë krim nuk janë në Kosovë dhe kështu nuk ka mundësi të merren masa ndaj tyre.
Kjo siç tregon, Hasani është kërkuar edhe nga misioniBashkimit Evropian për Sundim të Ligjit EULEX-i, të cilët njëjtë sikurse institucionet e Kosovës kanë thënë se nuk kanë kompenteca jashtë territorit të Kosovës. Ish i burgosuri dhe tani deputeti Hasanit, thotë se 120 familjet e të vrarëve dhe rreth 300 familjet e të plagosurve janë ende në pritje se kur kryesit e këtyre veprave të dënohen.Ndërsa, një tjetër ish i burgosur në Burgun e Dubravës, Bislim Zogaj që kishte kryer funksionin e mjekut aso kohe po ashtu rrëfen për tmerrin që kishte përjetuar ato ditë ku ndodhi masakra në Burgun e Dubravës.
Sipas tij, më e rëndësishmja gjatë asaj kohe ishte që të pakësonin sa më shumë që mundeshin numrin e të vdekurve, duke iu ofruar ndihmën e parë.
“Jam munduar përveç dhënies së ndihmës të parë të marrë edhe evidencë, me datën 22 në orët 18:00 kur kam evidentuar kanë qenë 190 të shtrirë, do të thotë të palëvizshëm me plagë shumë të rënda. Ne kemi arritur që të gjithë këtyre t’u japim ndihmën e parë, dhe sado kudo t’ua lehtësojmë dhimbjet, megjithatë qëllimi ynë kryesor ka qenë që t’ua ndalim gjakderdhjen dhe sado pak të bëjmë diçka për të shpëtuar ndonjë jetë”, tha Zogaj.
Edhe pas gjithë asaj që kishte ndodhur dhe që kishin përjetuar të burgosurit, ngjarje kjo që është e dokumentuar edhe me fotografi, Zogaj vlerëson se shteti i Kosovës ka bërë shumë pak që drejtësia të vihet në vend.
“Definitivisht Kosovës po i shkon koha gjithëherë në vend të jemi ofanziv, gjithmonë po jemi në defanziv. Në vend që ne me argumentet tona shumë bindëse dhe shumë të argumentuara që ta akuzojmë, të ngirsim padi kundër pushuesit serb i cili na erdhi dhe na vrau, ku me çdo konventë ndërkombëtare spitalet dhe burgjet janë të garantuar edhe gjatë luftës këtu ndodhi e kundërta, sidomos në Burgun e Dubravës, janë vrarë që ata të pafajshëm po themi me duar lidhur, sepse çdo kund mund të dyshohet se ka pas mundësi të ketë rezistencë, në Burgun e Dubravës ka qenë e pamundur të kemi rezistencë, sepse kemi qenë të pa armatosur dhe në vend që ta shfrytëzojmë këtë argument bindës ndaj Serbisë para faktorit ndërkombëtar, ne kemi bërë shumë pak”, theksoi Zogaj.
Ish i burgosuri dhe dëshmitari i masakrës së Dubravës, Zogaj vlerëson se e pakta që do të duhej të bënin institucionet e Kosovës është vendosja e një lapidari në oborret e Burgut të Dubravës, në të cilin do gdhendeshin emrat e të gjithë të vrarëve e të plagosurve të masakrës së Dubravës. Kjo njëherit do të ishte edhe shenjëbindëse për të gjithë ata që vizitojnë këtë burg, se në atë vend nga 19-25 maj kishte ndodhur njëra ndër masakrat më të mëdha që kishte njohur kjo pjesë e Evropës që pas Luftës së Dytë Botërore.
Ndryshe, Hasani me tonë të rënduar derisa fletë për masakrën në Burgun e Dubravës, thotë se më nuk beson në drejtësinë kosovare dhe as atë evropiane.
“Sa herë që vije përvjetori i Burgut të Dubravës ne kemi dhimbje, ne kemi kujtesa, ato kujtesa neve na prejnë, na ngarkojnë, na ngarkojnë ata njerëz që janë të vrarë se s’po kemi mundësi t’u dalim, të paktën gjyqësia ta thotë fjalën e vet, as gjyqësia nuk është ka e thotë fjalën e vet, gjyqësia do ta thotë fjalën për shqiptarët kur do na shpallin kinse kemi bërë gjenocid ndaj serbeve edhe pse kemi qenë të burgosur. Kjo është e tmerrshme, e tmerrshme është drejtësia tek ne, e tmerrshme është drejtësia evropiane, prandaj nuk besoj në këtë drejtësi”, theksoi Hasani.