Tre persona kanë gjetur vdekjen dhe tre të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, në një përleshje të armatosur të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Elbasanit.
Burime policore bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një lokal, në zonën periferike të Krastës, pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Disa persona kanë hapur zjarr me armë automatike në drejtim të lokalit, ku për pasojë dy persona kanë gjetur vdekjen e menjëhershme dhe 4 të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë pak më vonë në Spitalin e Elbasanit.
Viktimat janë identifikuar si shtetasit Arnold dhe Agron Çapja, si dhe Eneo Bedalli. Ndërkohë, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë bllokuar qarkullimin përgjatë gjithë aksit Elbasan-Librazhd si dhe kanë ngritur postblloqe në rrugët e tjera dalëse të qytetit.
Ndërkohë, raportohet se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka urdhëruar dërgimin e forcave speciale drejt Elbasanit. Konkretisht në lëvizje janë vënë forcat e RENEA-s dhe ato të FNSH-së së Tiranës dhe Fierit.
Personat e plagosur janë nisur me helikopter drejt Tiranës, për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës. Nga hetimet paraprake të uniformave blu dyshohet që shkak i ngjarjes së rëndë të jetë hakmarrja.