Nga: Enver Hasani
Të thuash që deklarata e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, paraqet tejkalim të kompetencave të tij, përbën një marrëzi të dorës së parë. Jo vetëm pse ajo deklaratë vjen nga një vend mik i Kosovës. Edhe po të ishte nga ambasadorët e tjerë, do ta kishte tretmanin e njëjtë. Fakti që vjen nga SHBA-ja, i jep asaj një peshë më specifike, sepse tregon interesimin e shtuar të mikut kryesor të Kosovës për zhvillimet krejt të çuditshme në skenën politike kosovare. Reagimet e tilla të të ashtuquajturve njohës e ekspertë të marrëdhënieve dhe të së drejtës ndërkombëtare, nuk mund të mos jenë bazament për trimërimin e njerëzve për të abuzuar me atë që në Amerikë quhet “e drejta nga amendamenti i parë”, pra abuzim me të drejtën dhe me lirinë për t’u shprehur. Peticioni, si një formë e kësaj të drejte dhe lirie njerëzore, shikuar historikisht paraqet formën më të abuzuar në realizimin e kësaj të drejte dhe të kësaj lirie. Ndërkohë që, për iniciuesit, peticioni në fjalë domosdo që shpreh realizimin e të drejtës për të qenë i marrë dhe i lirisë për t’u angazhuar në orgjinë e tillë të marrëzisë, për qytetarët e zakonshëm të Kosovës ai peticion shkakton irritim legjitim deri në pafundësi.
Ajo që i ndjeri dr. Ibrahim Rugova e pati quajtur “refuzim estetik”, hapur u manifestua në mënyrë krejt plebishitare në opinionin publik kosovar. Te gjithë, gati të gjithë, mbetëm gojëhapur me këtë abuzim të lirisë së shprehjes. Nuk është çështja e lirisë së shprehjes këtu, por e testimit të mendjes së kosovarëve nëse akoma kanë orientim perëndimor. Ky testim bëhet në emër të kësaj lirie natyrore, të cilën e sanksionojnë të gjitha kushtetutat e vendeve me demokraci liberale. Hap tjetër do të jetë djegia e flamujve të vendeve që janë miq të sinqertë të Kosovës. Pse ndodh kjo gjendje, që deri para pak kohësh askush as që ka mundur ta mendojë?
Kjo ndodh sepse skena politike kosovare ka mospajtime të thella dhe të pariparueshme konceptuale për çështjet bazike, të cilat lidhen me formën e qeverisjes, pra ka mospajtime lidhur me natyrën që duhet ta ketë pullazi politik kosovar, si dhe me strategjinë bazike lidhur me orientimin ndërkombëtar të Kosovës. Nuk mjafton vetëm të thuhet deklarativisht se Kosova synon vlerat e demokracive të avancuara euroatlantike. Kjo, sepse veprimet që shihen në dekadën e fundit lidhur me formën e qeverisjes dhe me orientimin e Kosovës në planin ndërkombëtar, dëshmojnë krejt të kundërtën.
Tanimë i ndjeri Umberto Eko, pak muaj më parë, kur mori çmimin nga universiteti amë, e tha një gjë që nuk ka si të mos e kujtojë njeriu për jetë e mot. Si pasojë e internetit, tha i ndjeri Umberto, lloj-lloj marrëzie që dikur nuk ka pasur gjasë të dalë jashtë fshatit nga ku ka dalë, tani jo vetëm që del por edhe binjakëzohet me marrëzitë simotra dhe, kur merr dhenë, të krijon përshtypjen se marrëzia është rend i ditës. E, tha i ndjeri Umberto, kjo nuk është kështu. Refuzimi estetik krejt dijnitoz i peticionit nga shumica dërrmuese e kosovarëve dhe qëndrimi miratues ndaj deklaratës së ambasadorit Greg Delawie e vërtetoi se, me gjithë kohën e internetit, marrëzia ngelet lokale nëpër kokat e të marrëve. Ky reagim i këtij lloji po ashtu tregon se te shumica e kosovarëve nuk ka dilema e mospajtime sa i përket formës së qeverisjes në Kosovë, si dhe sa i përket vendit të Kosovës në lëvizjet ndërkombëtare. Përveç kësaj, krejt në fund, kjo po ashtu tregon se, në asnjë tronditje të thellë politike, që si duket do të jetë e pashmangshme, në Kosovë nuk mund të krijohet vakuum politik e shpirtëror aq sa për të qenë pre e forcave socio-politike që kanë koncepte të çuditshme për formën e qeverisjes dhe për orientimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Marrëzia, me sa duket, do të ngelë në nivel të vetin – të vetë marrëzisë!