Petrit GASHI
Riaktivizimi i negociatave me Serbinë pas përfundimit të “Negociatave të Vjenës” ishte hapi me i gabuar dhe fillimi i rikthimit mbrapa në procesin politik të Kosovës, dhe në subjektivitetin e njohjes ndërkombëtare të saj. Megjithatë gabimet nga spektri politik në vend nuk përfunduan me kaq, ata ishin në gjendje të bënin kompromise edhe me vlerat që ata i ngritën në pushtet, madje sakrifikuan edhe shokët e tyre të luftës , vetëm e vetëm që të maskohen me petkun e paqes e të buzëqeshjes se rreme për të përfituar personalisht.
Marrëveshjet e Prillit dhe Majit të vitit 2013, të prezantuara Historike për Kosovën dhe Serbinë, dhe të quajtura speciale në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, vërtet po rezultojnë speciale në praktike, sepse po e sfidojnë ekzistencën e një shteti në Ballkan me krijimin e Institucioneve mbishtetërore speciale siç është “Gjykata Speciale”, “Asociacioni i Komunave serbe” dhe “Bisedimet për barrikadën mbi lumin Iber”. Tani pas dy viteve të shkuarje-ardhjeve në Bruksel është gjetur një kompromis i madh dhe i pranueshëm ku Shqiptaret do të humbasin ndërsa serbet do të fitonin, madje pala e parë këtë humbje duhet ta prezantojë para opinionit si një fitore të madhe për qytetarët e vendit.
E vërteta mbi marrëveshjet ka rezultuar me tri elemente kryesore të cekura me lartë që do ta sfidonin ekzistencën e një shteti normal në rrafshin e funksionimit të tij siç janë:
– Krijimi i asociacionit te komunave serbe në Kosovë më kompetenca ekzekutive duke u lidhur me Beogradin e sfidon pushtetin e vendosur në Prishtinë në shumë çështje thelbësore në funksionimin e tij;
– Diskutimet me Serbinë për barrikadën e vendosur mbi urën e Ibrit e cila gjendët brenda territorit të Kosovës, është pranim i sovranitetit të Serbisë brenda Kosovës edhe në çështje territoriale;
– Pranimi i Gjykatës Speciale, e cila sfidon rendin juridik të Kosovës dhe dënon në tërësi luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sfidon të ardhmen evropiane të vendit, vet ekzistencën dhe parimet mbi të cilat është ngritur ky shtet.
Mirëpo si duket e gjithë kjo që u tha me lartë është planifikuar mire nga pushteti i vendosur në Kosovë e të ndihmuar edhe nga vartësit e tyre ndërkombëtar për të përshpejtuar gjymtimin e Kosovës duke vendosur Gjykatën Speciale dhe duke dënuar epokën me historike dhe te lavdishme të Kosovës.
“Gjykata Speciale” e cila tanimë ka vendosur themelet e saj me vulën e institucioneve të vendit ne Republikën e Kosovës nuk është si rezultat i kërcënimeve nga OKB-ja por si rezultat i besnikërisë se bisedimeve Prishtinë-Beograd të quajtura si marrëveshje speciale.
Thjesht, po të ishte diplomacia Kosovare dhe Qeveria e Kosovës me profesionale ne punën e tyre nuk do të ndodhnin gjera të tilla, dhe kërcënimet se gjoja nëse NE nuk e bëjmë e bënë OKB-ja janë falco. Nga vet rezolutat e deritashme për Kosovën të bëra gjatë viteve dëshmon se tani OKB-ja e ka kryer këtë kapitull me gjykimin e udhëheqësve të UÇK-së në Hage e të cilët janë shpallur të pafajshëm, dhe ri-aktivizimi i këtyre gjykimeve nuk mund të bëhet nga OKB-ja. E vërteta është se kërcënimet vinë nga spektri Politik kosovar që ka garantuar themelimin e kësaj gjykatë në Bruksel, dhe besnikëria e tyre do të shkoj deri në fund madje edhe nëse është në kundërshtim me interesat madhore të shtetit të Kosovës dhe qytetareve të saj.
Sidoqoftë tanimë presioni do të vazhdojë deri të realizimi i kësaj gjykate, ndërkohe rruga e Kosovës drejtë integrimeve evropiane, njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtarë përveç që do të jetë e kushtëzuar do jete edhe shumë e ngadaltë dhe e tej-zgjatur, prandaj Kosova dhe qytetarët e saj si rezultat i politikës së dështuar kanë marrë goditjen me të rënde të imazhit ndërkombëtar të vendit dhe të epokës me të ndritshme të lirisë.
(Autori: Studiues i çështjeve evropiane dhe politikave të BE-së)