Marrëveshjet e Brukselit në përkthim, publikohen javën e ardhshme (Video)

E publikuar: 06/09/2015 22:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në ueb-faqen e Zyrës së Kryeministrit, Isa Mustafa, është publikuar vetëm marrëveshja për formimin e Asociacionit me shumicë serbe, ndërsa tri marrëveshjet e tjera për energjinë, telekomunikacionin dhe heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër nuk janë publikuar ende.
Marrëveshjet janë duke u përkthyer dhe sapo të jetë versioni final zyrtar do të publikohen. Kjo është çështje ditësh, ka thënë Arban Abrashi, zëdhënës i Qeverisë.

“Qeveria e Kosovës tashmë i ka dërguar tekstet e marrëveshjeve për përkthim zyrtar në dy gjuhët zyrtare. Pas kësaj, tekstet zyrtare të marrëveshjeve, bashkë kërkesën e Qeverisë për të informuar Kuvendin, do të procedohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Abrashi përmes postës elektronike.

Ai më tej ka shtuar se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ato do të fuqizojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe janë mbështetur fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

“Me këto marrëveshje, Kosovës i është hapur perspektivë e fuqishme integruese në strukturat euroatlantike, në organizatat ndërkombëtare dhe në Kombet e Bashkuara”, ka vlerësuar Abrashi. /TribunaChannel/