Në muaji mars i këtij viti, Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit pritet të nënshkruajë një traktat-marrëveshje me agjencitë homologe, fillimisht me disa nga vendet e rajonit, për shkëmbim të informacioneve në fushën deklarimit të pasurisë. Qëllimi i këtij traktati është të merren më shumë informata për zyrtarët e lartë publikë nëse posedojnë pasuri të luajtshme apo të paluajtshme në vendet e rajonit.
Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se ky traktat ka dalë si rezultat i procesit të Berlinit, konkretisht nga Samiti i Triestes në vitin 2017 dhe zotimeve nga Samiti i Londrës që ka marrë Qeveria e Kosovës.
Samiti në Londër ishte mbajtur në vitin 2018 dhe ishte pjesë e procesit të Berlinit, dedikuar Ballkanit Perëndimor iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, i cili ishte pasuar përgjatë viteve me samite tjera, gjatë të cilave ishin nënshkruar marrëveshje të shumta në fusha të caktuara mes vendeve të Ballkanit.
“Pasi të nënshkruhet traktati i marrëveshjes për këmbim të informacionit në mes agjencive, atëherë definohet çështja se si merren këto informacione. Do të thotë, çdo shtet i përcakton normat se si bëhet këmbimi i informacionit. Vetë traktati tregon se gjithçka lidhet me zyrtarët e lartë kur dërgojmë kërkesë te ndonjë shtet për të siguruar informacione se a ka biznes, të hyra, pasuri të luajtshme apo të paluajtshme në atë shtet dhe në atë rast ato (agjencitë anti-korrupsion në vendet e rajonit) janë të obliguara t’i përgjigjen Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit. Në këtë rast edhe ne u përgjigjemi agjencive homologe”, tha Havolli.
Përfaqësues të shoqërisë disa herë kanë shprehur dyshimet se pasuria e tyre, mund të jetë edhe më lartë sesa që është deklaruar, duke ngritur dyshime se zyrtarët e lartë të institucioneve mund të kenë mjete financiare dhe pasuri të paluajtshme edhe jashtë territorit të Kosovës.
Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, e konsideron të domosdoshëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se gjithmonë ka ekzistuar dyshimi se një pjesë e madhe e zyrtarëve të lartë publikë mund të kenë pasuri jashtë kufijve të Kosovës dhe asnjëherë nuk e kanë deklaruar këtë pasuri në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit.
“Në rast se arrihet të sigurohet një marrëveshje e tillë, jo vetëm me vendet e rajonit sepse dyshimet janë se mund të ketë edhe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Kjo mund të rrisë mundësinë e verifikimit nëse zyrtarët e lartë kanë pasuri jashtë vendi dhe nuk e kanë deklaruar. Nëse del se kanë pasuri të tillë, duhet të fillohet me shqyrtimin e atyre pasurive dhe të vjen deri te konfiskimi i pasurive për faktin se nuk e kanë deklaruar”, tha Demhasaj.
Në Kosovë ekziston Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, por që sipas shoqërisë civile, asnjëherë nuk ka gjetur zbatim.
Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar për mediat vendore në Kosovë, se në muajin maj të këtij viti do të procedohet një ligj i ri për konfiskimin e pasurisë, pasi që është konstatuar se ligji i miratuar në vitin 2018, është i pamjaftueshëm.