Kosova ka përmbyllur procesin e demarkacionit edhe me Malin e Zi, pasi që nënshkroi në Vjenë Marrëveshjen për Kufirin Shtetëror.
Marrëveshjen e kanë nënshkruar, për palën kosovare, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.
Dëshmitarë të nënshkrimit ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, FillipVujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pas nënshkrimit të marrëveshjes përsëriti se marrëveshja është në “përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, për Malin e Zi por edhe për tërë rajonin, që dëshmon se rajoni ka hyrë në një periudhë të bashkëpunimit dhe po ecën sigurt në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshiq, u shpreh se marrëveshja është shembull për rajonin dhe vlerësoi se është bërë në prag të Samitit të Vjenës, si konfirmim se rajoni është i përkushtuar në procesin e integrimit në BE dhe NATO.
“Thaci nënvizoi se Kosova tanimë ka përmbyllur procesin e demarkacionit të kufirit me Shqipërinë, Maqedoninë dhe tani edhe me Malin e Zi dhe shprehu shpresën se së shpejti do të përmbyllet edhe me Serbinë”, njofton MPJ.
Ndërkohë në Pejë është protestuar kundër kësaj marrëveshjeve. Qytetarët e kësaj ane, thonë se kjo marrëveshje është një padrejtësi dhe e kundërshtojnë atë.
Madje ata kanë thënë se “po i falet tokë Malit të Zi” dhe siç janë shprehur disa nga protestuesit, “ajo tokë është larë me gjak.”