Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se marrëveshja e arritur për targat gjatë javës në mes të Kosovës dhe Serbinë është shenjë se mund të vazhdohet të punohet drejt normalizimit të raporteve.
Stano është pyetur nëse gjasat janë reale që një marrëveshje përfundimtare të arrihet në marsin e 2023-ës, gjë për të cilën ka thënë se nuk vendos BE-ja.
“Prishtina dhe Beogradi janë ato që vendosin kur mund të jenë të gatshme për ta arritur marrëveshjen finale”, ka thënë ai për ABC Neës, përcjell KlanKosova.tv.
“Natyra e BE-së është që të përqendrohet në rezultate, në sukses, jo në dështim. Është me rëndësi të thuhet se çfarë mund të ndodhë në rast të dështimit, por më mirë do të ishte që të mos spekulohet rreth mundësisë për braktisje ose ndërprerje të procesit”.
“Në veçanti pas marrëveshjes së arritur gjatë javës, ka një momentum. Kjo marrëveshje me të vërtetë e shtron rrugën për punë domethënëse të mëtejme në procesin e normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Jemi të përqendruar në këtë dhe presim që të dyja palët të punojnë në këtë drejtim për të gjetur zgjidhje evropiane në mënyrë evropiane”.
Ai ka theksuar se BE-ja gjatë javës do t’i ftojë për takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.