Burim Piraj ka 8 muaj që po pret një përgjigje nga autoritetet maqedonase për eksport të produkteve të tij të mishit.
Vendimin për të eksportuar thotë se e ka marrë pas rritjes së kërkesave për produktet e tij, raporton KTV.
Madje, kishte planifikuar që të rriste numrin e të punësuarve, por të gjitha planet po i shkojnë drejt dështimit, pasi pala maqedonase vazhdon të mos ia lejoj eksportin.
Ai ankohet se institucionet përgjegjëse nuk po i ndihmojnë prodhuesit vendës.
Madje, duke parë se problemet po vazhdojnë të jenë prezente, kërkon nga këto të fundit të rrisin presionin qoftë edhe me masa reciprociteti në mënyrë që të kuptojnë vendet e rajonit se duhet të jemi të barabartë.
Me të njëjtën kërkesë janë edhe shoqatat e biznesit.
Ato kërkojnë masa urgjente, pasi vazhdimi i një situate të tillë vetëm sa po e bën edhe më të pafavorshme të bërin biznes.
Bazuar në marrëveshjen e CEFTA-s, kompanitë që nuk mund të bëjnë eksport të produkteve të tyre drejt BE-së, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë u bën kërkesë autoriteteve kompetenteve të vendit destinues të eksportit për të dërguar një komision për vlerësim të kushteve higjienike të prodhimit, sistemin e kontrolleve zyrtare, frekuencën e analizave laboratorike dhe normave legjislative aktuale.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinës së Kosovës kanë bërë të ditur se një kërkesë të tillë i është bërë disa herë por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Zyrtarë të kësaj agjencie kanë bërë të ditur se për shkak të këtij veprimi, pala kosovare ka vendosur masa reciprociteti, duke mos dërguar komision në Maqedoni te kompanitë që duan të eksportojnë në Kosovë.
Agjencia në fjalë ka bërë të ditur se më në fund me datën 8 të këtij muaji pala maqedonase është paraqitur duke u arsyetuar se vonesa ka ndodhur për shkak të ndryshimit të strukturës udhëheqëse pas ardhjes së qeverisë së re në shtetin fqinj.
Por, as kjo nuk e ka zgjidhur të gjithë problemin, pasi aktualisht janë edhe dy kompani kosovare që po presin ardhjen e këtij komisioni.