Basha tha se marrëveshja është arritur në bazë të një formulimi të propozuar nga Komisioneri Hahn për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut.
“Sapo kam përfunduar një komunikim intensiv me partnerët amerikanë dhe europianë. Pas komunikimit më të fundit të rakorduar nga komisioneri Hahn, roli i misionit ndërkombëtar do të jetë rekomandues, ndërsa vendimmarrja tërësisht në duart e shqiptarëve”, tha Basha.
Basha foli në këtë dalje për “fitore të parimeve të Partisë Demokratike”.
“PD zhvilloi një betejë të gjatë dhe këmbëngulja e saj pati rezultate pozitive”, tha Basha.
Sipas kreut të demokratëve, kjo marrëveshje është mbyllja me sukses e një procesi në përputhje me Kushtetutën dhe rekomandimet e Venecias.
“Konkludimi në këtë mënyrë i këtyre çështjeve, të lëna si litar jashtë në negociatat e të hënës, është konkludimi me sukses i PD për një draft kushtetues në përputhje me propozimet e Komisionit të Venecias dhë bazuar mbi propozimin e zonjës Nuland. Kjo betejë ka patur dy qëllime: Kushetuetshmërinë dhe të drejtat e liritë themelore”, vijoi kreu i demokratëve.