Marrëveshja për ndaljen e armiqësive në Siri zyrtarisht ka hyrë sot në fuqi me perëndimin e diellit.
Kjo marrëveshje e ndërmjetësuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, është përpjekja e dytë këtë vit nga Uashingtoni dhe Moska, për ta përfunduar luftën civile pesëvjeçare.
Nëse armëpushimi respektohet për një javë, atëherë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të ndërmarrin sulme ajrore të koordinuara kundër grupeve ekstremiste.
Ushtria e Sirisë tha se do të zbatoj një “regjim të qetë” shtatëditësh në gjithë Sirinë, por e ka rezervuar të drejtën për përgjigjet ndaj çfarëdo shkeljeje.
Grupet kryengritëse, që luftojnë kundër forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad, kanë indikuar se do ta respektojnë armëpushimin.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë konfliktit në Siri janë vrarë më se 250 mijë njerëz, ndërsa më tepër se 11 milionë vetë janë zhvendosur.