Pas konfirmimit nga Senati, Marco Rubio është betuar si Sekretar i Shtetit, para Nënpresidentit JD Vance, raporton CNN.
Ai është ndër të emëruarit e parë të Trump që merr detyrën.
“Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme. Nuk do të ishte e mundur pa bekimin e Zotit. Jam i nderuar dhe i privilegjuar, e mirënjohës për këtë përgjegjësi dhe dua ta falënderoj Presidentin Trump për besimin e tij. Ne do të punojmë shumë çdo sekond të ditës për ta ndihmuar atë në agjendën që qytetarët amerikanë i kanë besuar ta arrijë”, ka thënë Rubio.
Ai tha gjithashtu se Trump do t’i vendosë interesat e Amerikës si prioritet.
“Presidenti Trump është zgjedhur për t’i mbajtur premtimet dhe ai do t’i mbajë këto premtime. Premtimi i tij parësor kur bëhet fjalë për politikën e jashtme është se prioriteti i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara do të jenë Shtetet e Bashkuara. Do të jetë më tej interesat kombëtare të këtij vendi”, tha Rubio.
Rubio theksoi se Trump është i fokusuar në “promovimin e paqes”, teksa tregoi tri pyetjet që do ta udhëheqin atë si Sekretar Shteti.
“Çdo gjë që bëjmë duhet të justifikohet me përgjigjen e njërës prej tre pyetjeve: A na bën më të fortë? A na bën më të sigurt? Dhe a na bën më të begatë? Nëse nuk bën një nga këto tre gjëra, ne nuk do ta bëjmë”, deklaroi tutje Rubio.